Jeruzalem, ekstremistët hebrenj djegin shkollën arabo-izraelite

Në ditën që Papa Françesku i bëri thirrje myslimanëve e të krishterëve të bashkoheshin kundër terrorizmit, disa ekstremistë hebrenj dyshohet se i kanë vënë flakën një shkolle arabo-hebreje në Jeruzalem. Policia raportoi se shkolla që shihej si një simbol i bashkëjetesës mes dy etnive, është sulmuar për shkak të problemeve të javëve të fundit mes palëve.Të shtunën disa persona i vunë flakën ambjenteve të shkollës që mban emrin “Dorë për dore”, ku fëmijë izraelitë dhe palesinezë mësojnë në hebraisht dhe arabisht.“Vdekje arabëve” dhe “Nuk ka bashkëjetesë me kancerin” ishin disa nga parrullat e shkruara në muret e oborrit të shkollës. Sipas zëdhënësit të policisë, Miki Rozenfeld, dyshohet se keqbërësit kanë qenë ekstremistë hebrenj. Në shkollë, ku mësojnë rreth 600 nxënës të ndarë në mënyrë të barabartë mes dy etnive, mësojnë nxënës nga niveli parashkollor deri në arsimin e mesëm.Muajt e fundit kanë qenë të mbushur me skena dhune mes izraelitëve dhe palestinezëve, që prej korrikut, kur një të riu palesintez iu vu flaka nga disa hebrenj, si hakmarrje për vrasjen e tre izraelitëve nga militantët palestinezë në Bregun Perëndimor.Ngjarja u dënua edhe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili tha se qeveria e tij po bënte përpkjeje maksimale që të rikthente paqen dhe qetësinë në Jeruzalem. Megjithatë, vetë Netanjahu është kritikuar për futjen në fuqi të një ligji që do të bënte hebrenjtë të vetmit persona me të drejtën për të jetuar në Izrael.