Aksioni për energjinë, Ahmetaj: Mënyrë e re jetese në sistemin energjitik

Ky nuk është thjesht një aksion, por një mënyrë e re jetese në sistemin energjitik shqiptar. Kështu e ka konsideruar aksionin kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ndërsa inspektoi këtë të shtunë operacionin e OSHEE në Tiranë, i shoqëruar nga administrator Arben Seferi.“Qeveria është e vendosur t’i kthejë qytetarëve 150 milionë euro të cilat vidhen në sistem. Janë 150 milionë euro që qytetarët humbasin çdo vit 150 shkolla, 7 spitale rajonale, 100 km rrugë. Pra është një humbje që rëndon mbi qytetarin dhe tatim paguesin. Ajo që po ndodh me sistemin elektroenergjitik është një reformë e thellë.”Ahmetaj theksoi se vendosmëria e qeverisë do të shtrihet në kohë dhe nuk është thjesht retorikë momentale, por do të vazhdojë derisa qytetarët të kuptojnë se pagesa e energjisë elektrike është e domosdoshme si një përgjegjësi qytetare e gjithësecilit.