LDK: Kryeministrin na e garanton SHBA; Jakobson: S’garantoj marrëveshjen

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka theksuar se nuk është në pozicion për të bërë ndonjë garanci në politikën e brendshme të Kosovës.“E di se unë nuk jam në pozicion për të bërë ndonjë garanci në politikën e brendshme të Kosovës”, ka shkruar Jacobson ne twitter.Gjatë ditës së sotme kanë filluar takimet në nivel teknik për ndarjen e përgjegjësive mes palëve ku LDK është shprehur qartë se pretendon postin e Kryeministrit. Një ditë më parë, Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, nuk e tha për asnjë moment se Isa Mustafa do ta pasojë në këtë post.Por sipas Bajram Gecajt të LDK-së, garancinë për Kryeministrin Lidhja Demokratike e ka marrë pikërisht nga Xhekobson dhe Jahjaga."Posti i Kryeministrit do t'i takojë LDK-së dhe për këtë garantuese është Presidentja dhe Ambasadorja amerikane", ka thënë Gecaj.Javën e ardhshme pritet edhe që të zgjidhet misteri, edhe pse LDK përveç postit të Kryeministrit ka lënë të kuptohet se do të ketë katër Ministri.Katër të tjera do t'i takojnë PDK-së, ndërsa tre janë përcaktuar për minoritetet. Sipas raportimeve në Kosovë, mendohet se PDK do të marrë postin e Presidentit pas përfundimit të mandatit të Jahjagës në vitin 2016.Por ndërsa në PDK kryetarët e degëve e kanë mbështetur unanimisht koalicionin, arritja e marrëveshjes në parim për bashkëqeverisje ndërmjet Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës nuk po përkrahet nga të gjithë deputetët e LDK-së.Madje, disa deputetë kanë paralajmëruar votë kundër këtij koalicioni në Kuvend. Sipas tyre, koalicioni me PDK-në është i dëmshëm për LDK-në dhe për Kosovën, pasi me mbështetjen e PDK-së në pushtet, nuk mund të pritet luftimi i korrupsionit.Të mërkurën Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, me 74 vota për, 6 kundër e 4 abstenime, vendosi që të hapë bisedimet me të gjitha partitë pa përjashtim për krijimin e institucioneve.Me këtë rast disa prej anëtarëve të kësaj partie, përfshirë deputetët: Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Arben Gashi, Alma Lama dhe Adem Salihaj janë deklaruar kundër hyrjes në koalicion me PDK-në.Pavarësisht kësaj, pak orë më vonë, lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i PDK-së, Hashim Thaçi, kanë arritur marrëveshje në parim, për bashkëqeverisje.