Nishani i kërkon Kuvendit të rishikojë buxhetin e Presidencës

Tiranë- Ndërsa në Kuvend vijon ende diksutimi mbi projekt-buxhetin 2015, kreu i shtetit Bujar Nishani ka nisur një letër në drejtim të Kryetarit të Kuvendit si dhe krerëve të grupeve parlamentare.Në hyrje të letrës Nishani shpreh keqardhje që Institucioni i Presidentit të Republikës nuk u ftua në seancë dëgjimore nga Komisionet e përhershme për t’u dëgjuar mbi kërkesat specifike.Në pamundësi për t’u dëgjuar nga institucionet e pavarura, Presidenti Nishani paraqet disa problematika që implikojnë veprimtarinë e Institucionit të Presidentit të Republikës përgjatë vitit 2015.“Për vitin 2014, Institucionit të Presidentit të Republikës, megjithëse me ulje të theksuar krahasuar me dhjetë vitet e fundit, iu akorduan 183.2 milion lekë në total, ndërkohë që për vitin 2015 janë parashikuar 177 milion lekë, me një diferencë negative prej rreth 3.4 % më pak.Po kështu për zërin shpenzime të tjera operative në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar ulje e këtij zëri me 8.5% më pak.Vë në vëmendjen tuaj se përgjatë vitit 2014 janë kryer dhe shpenzime të paparashikuara, siç ishte rasti i vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë, ku kemi kërkuar në Ministrinë e Financës fonde shtesë për shpenzime të kryera dhe të faturuara, për të cilat jemi akoma në pritje.Siç jeni në dijeni, për vetë natyrën specifike të Institucionit, për përmbushjen e funksioneve kushtetuese të Presidentit të Republikës si në veprimtarinë brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, dalin vazhdimisht aktivitete shumë të rëndësishme për t’u kryer.Kështu, në kuadër të Presidencës Shqiptare të SEECP, në përmbyllje të Presidencës, në mes të vitit 2015, do të organizohet Samiti i Kryetarëve të Shteteve të këtij organizmi ku roli i Institucionit të Presidentit të Republikës në këtë organizim është primar, por që buxheti i planifikuar nuk e mundëson organizimin serioz shtetëror” shkruan Nishani.Nga ana tjetër Kreu i Shtetit kujton se viti 2015 përkon me 25-vjetorin e rënies së komunizmit në vendin tonë, ku institucioni i Presidentit të Republikës ka të parashikuar organizimin e ceremonive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara ndërkombëtare dhe buxheti i alokuar për këtë vit nuk e bën të mundur realizimin e të tilla aktiviteteve.Duke shpresuar në pranimin e shqetësimeve të sipërpërmendura dhe reflektimin përkatës, Presidenti kërkon të vendoset buxheti i institucionit që ai drejton në parametrat e funksionimit normal dhe të përmbushjes së misionit kushtetues.