Skuadra e vdekjes, vrasës të ISIS edhe dy francezë e një britanik

Të paktën dy francezë dhe një britanik, mendohet se janë pjesë e skuadrës së vdekjes që shfaqet në videon e publikuar të dielën në rrjetet sociale, ku militantët e Shtetit Islamik ekzekutojnë pengun e tyre më të fundit dhe një grup ushtarësh sirianë.Shërbimet Informative franceze madje kanë dhënë edhe emrin e njërit prej terroristëve, Abu Abdallah Al Faransi, një 22 vjeçar i lindur në Normandi, me emrin Maksim Hoshar, i larguar për në Siri që në vitin 2013. Këtë e konfirmoi edhe Ministri i Brendshëm francez, Bernar Kazanëv."Video e publikuar është analizuar nga shërbimet tona dhe deri tani mendohet se aty është edhe Maksim Hoshar, i lindur në vitin 1992", u tha Kazanëv gazetarëve.Ndërsa francezi tjetër që pretendohet të jetë në video nuk është identifikuar ende, ndërkohë që prokuroria e Parisit po mban nën vëzhgim rreth 1100 persona të tjerë dhe ka ngritur akuza për 95 prej tyre.Një natë më parë, u identifikua edhe një tjetër person i shfaqur në video, një student mjeksie britanik, i quajtur Naser Mutana. Babai i 20-vjeçarit pranoi se dallonte të birin mes 16 xhihadistëve që filmohen duke u prerë kokat ushtarëve sirianë.Në videon që qendroi e hapur për publikun për rreth një orë në Youtube, jepet edhe momenti i prerjes së kokës së pengut amerikan, Kasig."Nuk jam i sigurt, por duket si im bir. Tani ai duhet t'i druhet Zotit pasi ka vrarë njerëz. Si mund të dalë përballë Zotit nëse ka vrarë njerëz?!", tha babai i Naserit, 57-vjeçari Ahmed Mutana, i cili pranoi se nuk kishte ndërmend ta falte të birin nëse kthehej në shtëpi.