Skema e re e pensioneve, BB e vlerëson si ndër më të mirat në botë
Banka Botërore vlerëson reformën e pensioneve në Shqipëri, e cila do fillojë të zbatohet nga 1 janari 2015, si një ndër reformat më të mira në botë.Gjatë vizitës së sotme në Arkivën Qendrore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, drejtori i Operacioneve i Bankës Botërore, John Roome, i shoqëruar edhe nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, e vuri theksin te fakti se Shqipëria është në rrugën e duhur sa i takon reformës së pensioneve.“Reforma e pensioneve në Shqipëri është një ndër reformat më të mira në botë, që janë ndërmarrë në fushën e pensioneve. Është tamam ajo që duhet për një vend, i cili po ecën drejt Bashkimit Europian”, deklaroi Roome.Ai nënvizoi se derdhja e kontributeve nga qytetarët është shumë e rëndësishme, ndaj i ftoi ata të përfitojnë nga amnistia e kamatëvonesave për të vetëpunësuarit në fshat.Nga ana e tij, ministri Veliaj vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore, si dhe theksoi se Shqipëria po bën detyrat e saj të shtëpisë në fushën e pensioneve, në mënyrë që secilit t’i llogariten në skemë të gjitha vitet e punës.“I ftoj të vetëpunësuarit në fshat që t’i përgjigjen thirrjes për të paguar kamatëvonesat. Deri tani kemi pasur trefishim të pagesave. Kjo është një tendencë të cilën duhet duhet ta vazhdojmë”, tha ai.Lidhur me pagesën e kamatëvonesave, Veliaj sqaroi se nga 1 janari 2015, qytetarët që s’kanë mundësi t’i paguajnë menjëherë sigurimet shoqërore, mund ta bëjnë këtë çdo 3 muaj.“Por, deri në datën 31 dhjetor, pagesat e prapambetura duhen paguar tani, me çmime shumë modeste”, u shpreh ai.Gjithashtu, sipas Veliaj, reformë e re e pensioneve do të prodhojë, për herë të parë, pensione më të larta dhe se ky do të jetë viti i parë me ulje të subvencionit nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve.“Heqja e tavanit është një stimul për të deklaruar rrogat e plota dhe paguar sigurimet shoqërore. Ulja e subvencionit do t’i kursejë buxhetit të shtetit 30 milion dollarë, të cilat do të shkojnë për të ndërtuar shkolla, rrugë apo spitale”, deklaroi ai.