Zgjedhjet presidenciale në Rumani, Ponta pranon humbjen
Kryeministri rumun, Viktor Ponta, pranoi humbjen shokuese në zgjedhjet presidenciale të dielën, pasi sondazhet treguan se kandidati i qendrës së djathtë, Klaus Iohanis, kishte marrë shumicën e votave në balotazh. I mbështetur nga partia e tij e mirëorganizuar, Ponta kishte arritur të mblidhte më shumë vota se Iohanis gjatë raundit të parë të zgjedhjeve më 2 nëntor, por gjithsesi pa siguruar numrin e mjaftueshëm për të shmangur balotazhin.Por me sa duket, në balotazh, rumunët vendosën t'i japin një shans kandidatit me origjinë gjermane, në përpjekje për të shpëtuar vendin e tyre nga korrupsioni dhe renditja si shteti i dytë më i varfër në BE pas Bullgarisë.Ndërkohë që Ponta i telefonoi Iohanisit për ta uruar për fitoren që të dielën në darkë, pa dalë ende rezultatet e para zyrtare. Megjithatë, pavarësisht humbjes, Ponta pranoi se do të vazhdonte detyrën e kryeministrit dhe aleanca me socialdemokratët do të vazhdonte deri në vitin 2016, kur të mbahen zgjedhjet parlamentare. Por të dielën në mbrëmje, mijëra rumunë dolën në rrugët e Bukureshtit për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.Familja e Iohanisit është me origjinë nga fiset saksone të vendosura në Transilvani në shekullin XII. Në vitin 1992, pas ribashkimit të Gjermanisë, prindërit e tij u vendosën në shtetin amë, ndërsa Iohanis qendroi në Rumani. Edhe pse gjermanët e Transilvanisë janë në numër shumë të vogël në qytetin Sibiu, ai u zgjodh kryetar bashkie atje.Me sa duket origjina e tij nga lokomotiva e BE-së i ka bërë rumunët të besojnë se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr Rumaninë.