Shqipëri- Serbi, 2 vendet s'janë në një frekuencë drejt BE
Vizita e Kryeministrit shqiptar në Serbi tregoi edhe njëherë se Shqipëria dhe Serbia nuk janë aspak në të njëjtën frekuencë për sa i përket rrugës së tyre europiane. Fjalimi i Ramës, përmendja e Kosovës dhe reagimi i Vucic si i provokuar në shtëpinë e tij, ishte një déjà vu e pas ndeshjes së futbollit dhe gjithë histerisë nacionaliste të pajustifikuar të serbëve.Në Beograd sot Rama foli për shtetin e pavarur të Kosovës rreth 5 minuta po aq sa i gjithë fjalimi i Vucic që përpiqej të fliste shkurt, paksa i sforcuar, paska teknik dhe konkret për shtysën që Europa I kishte dhënë këtij takimi, ndoshta edhe presionin pa të cilin Rama - Vucic nuk do të kishte ndodhur.Rama i tregoi qartë Vucic-it se kishte shkuar me mision në Serbi dhe se ky mund të ishte momenti që edhe mund të thyhej protokolli në ndryshim nga ai vetë që kërkonte ta mbyllte sa më parë atë komunikim të drejtpërdrejtë me shqiptarët dhe serbët.Tejzgjatja e fjalimit të kryeministrit shqiptar, ritmi i shpejtë me të cilin i thoshte fjalitë, edhe këto tregojnë një formë sforcimi. Një sforcim i cili mbështetej tek aq shumë gjëra që duheshin thënë, të akumuluara në 7 dekada dhe që mbeten një zë i ndaluar për t'u dëgjuar, pas ndërprerjes së përkthimit nga TV serb.Sot u bë histori gjatë një konference shtypi ku pritësi kishte padurimin për ta mbyllur dhe miku artikohej me lehtësinë dhe kurajon që me gjasë ta jep edhe e drejta dhe historia e larë me gjak në betejat misid të frotëve të Europës në kurriz të më të dobtëve.Kryeministri Vucic u ndje i prerë në besë pasi u pa qartë që nuk e priste fjalimin e homologut të tij. Gjëja më e madhe që e ka lënë të brengosur është se para të gjithëve atyre që ndoqën atë konferencë, Shqipëria dhe shqiptarët u shfaqën të përfaqësuar nga një klasë politike që di të bëjë politikë, që është në nivelin e duhur intelektual për t'i përballuar këto ngjarje dhe madje nuk ka frikë të shprehë as atë që mendon e mbështet, qoftë edhe në Serbi.Një zyrtar shqiptar që fliste për vizion, kurajo, sakrificë, besim të ndërsjellë dhe për një gjeneratë të re të politikanëve në Ballkan dukej që bënte shumë kontrast me një pinjoll të gjeneratës së vjetër të politikës në Serbi.Ashtu siç pritej, Vucic ka luajtur viktimën duke akuzuar homologun e tij se e ka provokuar në shtëpinë e tij duke përmendur Kosovën dhe bëri të qartë se nuk do ta lejojë këtë poshtërim. Një shans i humbur për bashkëpunim tha Vucic pas takimit me Ramën.Megjithatë disa fakte janë tanimë realitet dhe të pandryshueshme. Kosova u artikulua si shtet i pavarur dhe i njohur nga 108 vende të botës në godinën e qeverisë së beogradit. Nuk ka vend për shpërthime të tepruara nacionaliste as nga shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës. U tha një e vërtetë për të cilën ishte pritur gjatë.Serbia duhet ta pranojë këtë fakt dhe deri sa të ndodhë kjo, rruga e bashkëpunimit rajonal, zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian është akoma shumë e gjatë dhe kësaj here sigurisht jo për faj të Bashkimit Evropian apo 'Patience fatigue'. Nën kujdesin e kancelares Merkel Tirana dhe Beogradi sot u përpoqën që bashkë me rrezet e diellit që shoqëruan ekzekutimin e dy himneve kombëtare të thyenin akullin diplomatik midis tyre. Kjo gjë nuk ndodhi, të dy vendet mbetën në pozicionet që ishin dhe kjo është sa normale aq europiane.Por klima politike në Ballkan tani e tutje do të reflektojë një realitet të ri, që nuk duhet të jetë larg të vërtetës së pranuar botërisht. Kosova nuk është Serbi!Ja editoriali i Drejtoreshës së Informacionit në ORA News Ilva Tare.