Lidhjet e paligjshme, Ahmetaj ndjek nga afër aksionin në ish-Kinostudio
Në kuadër të aksionit të nisur nga Qeveria për prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, zhvilloi sot një vizitë në terren në zonën e ish-Kinostudios.Ministri Ahmetaj, së bashku me Drejtorin e OSHEE, Arben Seferi, pa nga afër aksionet e inspektorëve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe ka biseduar me qytetarët e zonës lidhur me rëndësinë që ka në këtë moment aksioni për ndaljen e abuzimit dhe vjedhjen me energjinë elektrike.Ministri i Zhvillimit Ekonomik u ka shpjeguar qytetarëve se çdo vit humbasin nga buxheti i shtetit rreth 150 milionë euro për sektorin e energjisë, para që mund të përktheheshin në investime të drejtpërdrejta për qytetarët, si investime në rrugë, shkolla, spitale, etj.Ahmetaj i bëri apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet shtetërore duke pagur energjinë dhe shkëputur vullnetarisht lidhjet e paligjshme, ndërkohë që i siguroi se ky aksion nuk prek ata që janë treguar korrekt me pagesat, pasi synimi i tij është vetëm ndalja e vjedhjes dhe abuzimit me energjinë elektrike.Aksioni për ndaljen e abuzimit dhe vjedhjen me energjinë elektrike ka nisur në datën 27 Tetor dhe tashmë është në javën e dytë të tij.Deri në datën 5 Nëntor rezulton se janë ndërprerë 18 416 lidhje energjie ta paligjshme, janë arrestuar 264 persona abuzues me energjinë elektrike, janë denoncuar në polici 93 persona dhe janë arrestuar 31 punonjës të OSHEE.Përsa i përket arkëtimit të energjisë elektrike, vlera arriti në 4.1 miliardë lekë gjatë muajit Tetor, duke shënuar një rritje prej 25 për qind krahasuar me një vit më parë ose rreth 836 milionë lekë më shumë.Gjatë muajit Tetor konstatohet edhe një rritje e lartë e arkëtimit të kamatë-vonesave, duke shënuar një rekord në vlerën 199 milionë lekë. Krahasuar me muajt Korrik, Gusht e Shtator, rritja është me rreth 45 për qind më shumë.