Aksioni për energjinë, Çuçi: Të vendosur për t’i shkuar deri në fund
Këtë të enjte aksionin për vjedhjen e energjisë elektrike e ka ndjekur nga afër ministri për Çështjet Vendore. Edhe pse shumë larg dikasterit që ai drejton, Bledi Çuci, i shoqëruar nga administratori I OSHEE-së, Arben Seferi, edhe një herë shprehu vendosmërinë e qeverisë për t'i shkuar deri në fund kësaj beteje që kanë ndërmarrë."Dua të shpreh edhe një herë qëndrimin e palëkunder të qeverisë shqiptare, për të ndëshkuar dhe për betejën që ne i kemi hapur abuzimit dhe paligjshmërisë. Rasti i sotëm ilustron edhe një herë atë që ne kemi thënë, që asnjë abuzim dhe asnjë vjedhje e energjisë elektrike, nuk është bërë pa bashkëpunimin edhe të personave përgjegjës për mbarëvajtjen apo për të gjithë sistemin e transmetimit të energjisë. Beteja jonë me abuzimin dhe paligjshmërinë do shkojë deri në fund".Ndërsa administrator i OSHEE-së Seferi, i cili ka ndjekur çdo ditë aksionin për vjedhjen dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë, tha se ky operacion do të shtrihet në të gjithë vendin dhe se tashmë është hartuar edhe një plan operacional."Dua të theksoj se ka patur deri sot 24 persona të arrestuar nga OSHEE, jemi në process verifikimi për shumë raste. OSHEE dhe policia vazhdon punën. Ka një plan operacional në rang vendi ku duhet theksuar se OSHEE ka mbështetjen e plotë të qeverisë".