"Unë i mbijetova Tepelenës" - viktimat e diktaturës rikthehen në ish-kampin e tyre
Tepelenë - Me rastin e botimit të vëllimit të tretë të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit”, Fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri kanë organizuar ditën e sotme një konferencë të përbashkët me fokus kampet e internimit në periudhën 1945-1954. Të pranishëm në takim kanë qenë ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann, deputeti i PD Aldo Bumçi, ish të internuar, të afërm e familjarë të tyre.Sipas nëndrejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri Çelo Hoxha, ky aktivitet i konceptuar si homazh për viktimat e kampeve të internimit në Shqipërinë e diktaturës komuniste është zhvilluar në ish kampin e Tepelenës i njohur si një ndër kampet më famëkeqe jo vetëm për trajtimin e të internuarve, por edhe numrin e lartë të viktimave.Në ambientet e kazermave të dikurshme ku strehoheshin të internuarit është improvizuar një ekspozitë me punimet e Lek Pervizit, një prej ish të internuarve në këtë kamp. Punimet e tij janë përmbledhur në një album me skica e portrete nga kampet e burgjet si dëshmitë e vetme të trashëguara nga kjo periudhë.Bashkëshortja e Lekës rrëfen se ka lindur në këto kampe internimi dhe emri i saj edhe sot ka mbetur Beba, ndërsa ajo është simboli i gjallë i mbijetesës së fëmijëve të mitur të kampeve të internimit, pjesa më e madhe e të cilëve vdisnin pak kohë pas lindjes.Kampi i internimit në Tepelenë është cilësuar ndryshe si “Aushvici” I Shqipërisë. Më shumë se 1200 persona kanë jetuar për vite me rradhë në mjerim të plotë. Kampi i Tepelenës ka filluar funksionimin e vet në vitin 1949 deri në 1954.Aktiviteti i sotëm i emërtuar “Unë i mbijetova Tepelenës” kërkon të sjellë në memorien e të gjithëve vitet e vuajtjes të mijëra njerëzve.Oranews.tv