Korçë, bashkia "strehon" 6 familje në godinë të shembur, pa ujë, pa drita
Korçë - 6 familje në qytetin e Korçës që jetojnë në një godinë dykatëshe përballë Drejtorisë Arsimore në Korçë prej 6 muajsh, qëkurse bashkia i vendosi aty si të pastrehë, jetojnë në terr dhe pa ujë të pijshëm, kjo për faktin se godina është në pronësi të bashkisë. OSSHE sëbashku me Ujësjellësin, nuk iu lidhin kontratat e shërbimit pa lejen e bashkisë.Pikërisht për këtë arsye këto 6 familje protestuan para Bashkisë, duke i kërkuar drejtuesve të saj zgjidhjen e këtij ngërçi, pasi fakti qe ata nuk kanë ujë bën që jeta e tyre të jetë në kushte mizerabël. Banorët akuzuan drejtuesit e Bashkisë për mashtrim pasi prej kohesh ata iu kishin premtuar se do ta zgjidhnin këtë situatë.“Jemi pa ujë e pa drita. Kemi hyrë aty nga e keqja. Jemi 6 familje me 9 fëmijë të sëmurë, të mbushur me infeksione nga kushtet e këqija. Vijmë këtu në bashki dhe na përzejnë e na gënjejnë. Morrën shtëpi ata që kishin edhe i shitën kurse ne na lanë përjashta. Kam 30 vjet kështu. Kur bie shi vendosim ndonjë plastmas ose teneqe që mos të na bjerë uji brenda”, shprehen të indinjuar banorët e godinës.Realisht gjendja e godinës në të cilën bashkia ka strehuar këta të pastrehë është në gjendje tepër të keqe, pa dritare dhe me tavanë të çarë, të cilët mund të bien dita-ditës duke rrezikuar sidomos jetën e fëmijëve. Në total, në këto ambiente jetojnë 15 vetë, ndërsa pamjet flasin për një realitet të hidhur në të cilin jetojnë këta banorë, të cilët kanë pranuar të jetojnë në këto ambiente por kurrsesi pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.Ndërkohë, e kontaktuar nga "Ora News", Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në bashkinë Korçë u shpreh se familjet janë strehuar në atë godinë për një afat 6-mujorsh, i cili ka përfunduar tashmë dhe familjet duhej të ishin larguar. Përsa i përket ujit dhe dritave, këtë nuk ua siguron bashkia, por drejtoritë përkatëse.Përsa i përket vërtetimit që kanë kërkuar këto drejtori nga ana e bashkise, ai mund të jetë një justifikim për të mos ua lidhur atyre kontratat, pasi i tremben faktit që ata nesër mund të largohen që nga godina dhe të mbeten debitorë.ar.sh/Oranews.tv
