RTSH, vijon proçedura për zgjedhjen e 10 anëtarëve, dje u përjashtuan 4
Tiranë – Komisioni parlamentar i Medias mblidhet sërish rreth orës 09:30 të paradites së sotme për të vijuar procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.Janë 53 kandidatë të mbetur pas përjashtimit dje të katër kandidaturave nga 57 të tilla, të cilët do të kalojnë në filtrin e deputetëve deri në përzgjedhjen e 10 anëtarëve që do të zënë vendet e Këshillit ku aktualisht anëtarët janë më mandate të përfunduar prej vitit 2011.Gjatë mbledhjes së djeshme Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik me propozimin e deputetëve të mazhorancës, vendosi përjashtimin e kandidatëve: Ilir Nikolla, Anilda Sefgjini, Shefqet Bruka dhe Entela Kasi.Ky vendim së bashku me procesverbalin e mbledhjes t’i njoftohet përfaqësuesve të opozitës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, me qëllim që të ushtrojnë sipas radhës këtë të drejtë.Ligji për median audiovizive sanksionon se në procedurën e përjashtimit duhet të anagazhohet dhe opozita. Procedura e përjashtimit zbatohet sipas radhës: një nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare dhe një nga përfaqësuesit e opozitës.Në çdo rast, komisioni mban parasysh ruajtjen e balancës, pesë kandidatë të mbështetur nga maxhoranca, pesë të mbështetur nga opozita.