Luiza Xhuvani lë mandatin: Kostandini është djali im, po drejtësia të bëjë drejtësi
Tiranë - Ka qënë një befasi e zymtë, dalja e paralajmëruar e Kryeministrit Rama sot para medias për vrasjen e 4-fishtë që ndodhi në Tiranë. Në foltore ndodhej deputetja Luiza Xhuvani, nëna e Kostandin Xhuvanit, personit të dyshuar për masakrën, e veshur krejt në të zeza dhe një hap më pas, ndodhej Kryeministri Rama.
Tejet e prekur dhe e përlotur, Xhuvani dha ndërmjet të tjerash, lajmin se i ka kërkuar Kryeministrit Rama, dorëheqjen e saj si deputete e Sarandës pasi pavarësisht të gjithave “Kostandini është djali im dhe ai do të mbetet djali im”.
Më pas, Xhuvani u shpreh dhimbshëm se “paskemi qënë prindër të pafat. Ngjarja e ndodhur është tragjike, por ajo nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Janë katër familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve më të shtrenjtë, katër familje që sot kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të bëjë drejtësi,” theksoi ajo. Xhuvani u largua nga foltorja me fjalët
"Mos i ndodhtë asnjë prindi, kjo që më ka ndodhur mua dhe mos i ndodhtë askujt, ajo tragjedi që ka ndodhur sot" duke i dhënë dorën, Kryeministrit, i cili i dha një përqafim ngushëllues.
"
Fjala e mbajtur nga Luiza Xhuvani para medias:
Eshtë dhimbja e një nëne, që sot e ka të pamundur të marrë mbi vete, fajet e të birit. E kuptoj se sot, gjëja më e lehtë dhe më thjeshtë është që të fajësosh prindërit për fajin e Kostandinit, edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç. Edhe unë, edhe Gjergji, përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy, njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit, prindër që si çdo prind, dëshiron më të mirën për fëmijën e vet por me sa duket paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.
Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është tragjike, por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë nëna e tij, ushtroj. Janë katër familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve më të shtrenjtë, katër familje që sot kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të bëjë drejtësi. Drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë para ligjit. Kush është prind, më kupton; kush është nënë, më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave, ai do të mbetet djali im. E pikërisht se një nënë duhet të gjendet në krah të fëmijës në momente tragjike si kjo, me bindjen se drejtësia duhet të funksionojë me drejtësi ndaj kujtdo, edhe kur bëhet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdo lloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që ma ka zgjedhur, duke i kërkuar ndjesë, i kam paraqitur sot Kryeministrit të vendit dhe Kryetarit të PS-së, dorëheqjen time si deputete e rrethit të Sarandës. Mos i ndodhtë asnjë prindi, kjo që më ka ndodhur mua dhe mos i ndodhtë askujt, ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë. Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im, nuk mund ta mohoj se është gjaku im. Po tërhiqem në thellësinë e dhimbjes, me peshë të parehabilitueshme. Drejtësia le të bëjë drejtësi," - përfundoi Xhuvani.
Më pas, e mori fjalën, Kryeministri Rama. "E ndjeva për detyrë të reagoj në vetë të parë sepse në këtë ngjarje është përfshirë djali i deputetës Luiza Xhuvani. E para që kam menduar qysh në sekondën kur mora lajmin ishin prindërit. Prindrit e të vrarëve dhe prindërit e të dyshuarve kryesorë si autorë të vrasjes. Të parët të pa njpohur për mua, të dytët miqtë e mi të dashur. Besoj se arrij ta kuptoj se cfarë ndjejnë familjarët e katër të vrarëve për humbjen tragjike dhe faktin që i dyshuari është djali i një deputeteje. Pa asnjë dyshim ky fakt e vështirëson përpjekjen e tyre të vështirë për të gjetur forcën për të përballuar humbjen e pangushëllueshme të një fëmijë. Ky fakt e bën të pamundur dhe për opinionin publik që të mos jetë posacërisht i ndjeshëm ndaj këtij krimi që mori jetën 4 njerëzve. Pa asnjë dyshim historia e këtyre viteve të vështira në raportet aspak normale të shtetit me krimin, ku njëherë fëmija dhe njerëzit e politikës janë gjendur të përziere, sepse lufta politika i ka përzierë për të përbaltur prindërit e tyre nuk ka qenë e denjë as për shtetin as për politikën dhe nuk ka qenë një histori që ndihmon për të pritur me qëtësi fjalën e drejtësisë.