Mogerini e nis me EULEX, premton hetim nga ekspertë të pavarur për skandalin
Në ditën e dytë të punës si përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogerini ka bërë daljen e parë publike, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. E qeshur dhe shumë miqësore me norvegjezin, ish-ministrja e jashtme e Italisë u ka paraprirë pyetjeve të gazetarëve për çështjen e nxehtë të EULEX-it, duke bërë të ditur se e ka prioritet të sajin."Më lini të them dy fjalë edhe për EULEX-in në Kosovë, pasi është në vëmendje të të gjithëve, sigurisht edhe timen. Kam nisur të merrem që në ditën e parë me çështjen. Kam ndërmend të caktoj me urgjencë një ekspert ligjor të pavarur dhe me përvojë për të kontrolluar zbatimin e mandatit të misionit, duke u përqendruar te mënyra se si janë manaxhuar akuzat për korrupsion. Emri i personit do t'ju komunikohet sapo të jenë caktuar".Mogerini theksoi marrëdhënien e mirë, edhe personale, që ka me shefin e NATO-s, duke siguruar se palët do të bashkëpunojnë ngushtë për sfidat e përbashkëta që kanë. Mogerini pranoi se kishte rënë dakord me Stoltenbergut që të takoheshin rregullisht dhe se veprimet e dy institucioneve, do të ishin në koordinim të plotë."Folëm edhe për çështjet e nxehta në axhendat tona, duke nisur nga Ukraina dhe Rusia, dhe ndamë të dy mendimin se duhet një reagim i fortë, por edhe krjimi i mundësisë për dialgog, çka do të na jepte shpresë për një zgjidhje politike në lindje të Ukrainës në të mirë të të gjithëve".Pasi falenderoi Mogerinin për gatishmërin, edhe Stoltenberg u ndal te kriza në Ukrainë, si më emergjentja që shqetëson NATO-n dhe BE-në. Ai rikonfirmoi qendrimin e organizatës së tij kundër zgjedhjeve dhe lëvizjes separatiste në lindje të vendit."Në Ukrainë kemi pasur të ashtuquajtura zgjedhje, të organizuara nga separatistë të armatosur në lindje të vendit. Ato zgjedhje ishin kundër marrëveshjes së Minskut dhe NATO nuk do t'I njohë ato.Rusia vazhdon t’i mbështesë separatistët duke i stërvitur dhe furnizuar me pajisje si dhe me praninë e forcave special ruse në lindje. i bëjmë thirrje Rusisë që të bëjë përpjekje për të gjetur zgjidhje paqësore dhe të ndikojë te separatistët që të respektojnë marrëveshjen e Minskut dhe armëpushimin".Ndërkohë, në të përditëshmen italiane "La Stampa", më parë gjatë ditës, Mogerini citohet se misioni i saj të parë do të jetë të premten, në një udhëtim në Tel Aviv dhe Gaza, ku gjendja vazhdon të jetë e tensionuar, por, sipas saj, BE-ja shihet si ndërmjetës i mirëpritur.