Trashëgimia e Irakut, UNESCO e shokuar nga shkatërrimi, kërkon mbrojtje

Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, deklaroi se trashëgimia kulturore e Irakut po shkatërrohet në mënyrën më barbare pas pushtimit prej militantëve të Shtetit Islamik të një pjesë të mirë të territoreve të vendit."Jemi të tmerruar kur shohim shkatërrimet në tempujt dhe faltoret e trashëgimisë sumere, por edhe xhamive e kishave", tha Bokova gjatë një vizite në Muzeun e Bagdadit.Artefaktet e lashta irakiane gjithnjë e më shumë po shiten në tregun e zi, nëpërmjet ndërmjetësve që lidhin militantët e Shtetit Islamik me blerësit e shumtë. Me shifrat marramendëse që sigurohen nga shitja e këtyre objekteve të çmuara, ata financojnë aktivitetet e tyre.Mesopotamia, fjalë që nga greqishtja përkthehet "mes dy lymenjve", duke përkufizuar përafërsisht zonën mes lumenjve Tigër dhe Eufrat, është një zonë e pasur me histori nga qytetërimet më të lashtë të globit, ku spikasin qytetet antike Ninevehu dhe Babilonia, me kopshtet e saj të varura. Atje janë zbuluar edhe format e para të shkrimit, rreth vitit 3100 para erës së re."Më duhet të theksoj se diversiteti kulturor, fetar dhe etnik i shtetasve irakianë duhet mbrojtur. Njerëzit këtu kanë jetuar përkrah njëri-tjetrit, në tolerancë, prej qindra e mijëra vitesh. Nuk mund të pranojmë që në shekullin e 21-të të shohim këtë spastrim të mirëfilltë kulturor", u shpreh Bokova.Artefaktet e jashtëzakonshme të Muzeut të Bagdadit u plaçkitën në vitin 2003 pas anarkisë që pasoi rrëzimin e Sadam Huseinit nga pushteti.Megjithatë, edhe pse në fenë islame adhurimi i statujave është i papranueshëm, militantët nuk kanë skrupuj kur përfitojnë financiarisht nga shitja e tyre.