Topalli në Bullgari, takohet me kryeparlamentaren Cecka Caceva
Me ftesë të homologes së saj, znj Cecka Caceva, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndodhet për një vizitë zyrtare në Sofje, Bullgari.E shoqëruar nga Kryetarja Cecka Caceva, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e nisi vizitën saj me një ceremonial zyrtar para monumentit të “Ushtarit të panjohur”, në nderim të ushtarëve bullgarë të rënë në luftë.Pas këtij ceremoniali të veçantë, Kryetarja e Kuvendit u prit në një takim nga Kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë.Kryetarja Topalli falënderoi znj.Caceva për mbështetjen që Bullgaria ka dhënë ndaj Shqipërisë në proceset e saj integruese në NATO, por edhe përpjekjet drejt Bashkimit Europian.Nga ana e saj, znj Caceva konfirmoi se Bullgaria është dhe do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe është e gatshme të japë eksperiencën e saj në këtë drejtim. Ajo tha se “Progres-Raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë fliste për progresin real të vendit tuaj.”“Në çdo takim me faktorë të rëndësishëm të politikës së BE-së, tha zonja Caceva, kam lobuar për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, u takova në Dublin me Ministrin e jashtëm të Irlandës, vend që mban presidencën e BE-së dhe i fola për progresin e bërë nga Shqipëria. Uroj që anëtarësimi i Shqipërisë në familjen europiane të jetë sa më i afërt.”Kryetarja e Kuvendit tha se “Shqipëria është një vend që bën përjashtim, pasi brenda një kohe të shkurtër ka ecur shumë gjatë duke kthyer faqen e historisë së saj. Sot është një vend anëtar i NATO-s dhe jemi në pritje të marrjes së statusit kandidat. Ne jemi të gatshëm të realizojmë gjithçka për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve. Presim që opozita të votojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli, në mënyrë që të kalojmë sa më parë në hapjen e negociatave për anëtarësim.Gjatë takimit Topalli dhe Caceva biseduan për një bashkëpunim konkret për të përfituar projekte madhore infrastrukturore përmes fondeve të BE-së. Për Shqipërinë e Bullgarinë, por dhe për zhvillimin e mbarë rajonit ka një rëndësi të madhe realizimi i korridorit 8. Një rrjet rajonal infrastrukturor do të nxiste një epokë të re zhvillimi për gjithë Ballkanin.Në fund të takimit, Kryetarja e Kuvendit la një shënim në librin e përshtypjeve të Parlamentit të Bullgarisë.E pyetur nga mediat pas takimit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndër të tjera tha:“Biseduam për çështje të integrimit dhe unë me gjithë zemër dua të falënderoj zonjën Caceva, e cila në takimin e fundit në Dublin, në Irlandë ka insistuar duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë Bullgare për procesin e përshpejtimin të integrimit të Ballkanit Perëndimor, sigurisht të Shqipërisë meqenëse ajo është edhe një mike e veçantë e vendit tonë. Unë e falënderova atë sikurse falënderoj edhe qeverinë bullgare. Për mua është një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm që nesër do të kem mundësinë të flas përpara parlamentit të Bullgarisë mbi atë çfarë është Shqipëria dhe si e projekton ajo veten në të ardhmen. “