Kodheli në SHBA me ftesë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli prej ditës së sotme ndodhet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të sekretarit të Mbrojtjes, z. Chuck Hagel.Në ditën e parë të kësaj vizite ministrja Kodheli hapi bisedimet dypalëshe në fushën e Mbrojtjes të cilat përcaktojnë themelin dhe perspektivat e zhvillimit të bashkëpunimit në dy vitet e ardhshme. Pikat kryesore të këtyre bisedimeve përqendrohen në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, sidomos në fushat e reja siç është modernizimi i FA të Republikës së Shqipërisë, zhvillimi i operacioneve të përbashkëta etj.Më herët, ministrja e Mbrojtjes Kodheli zhvilloi një takim me shefin e Shtabit të Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, gjeneral brigade Mike Grant. Ministrja Kodheli i falënderoi ushtarakët e Gardës së Nju Xhersit për ndihmën dhe kontributin që kanë dhënë deri tani për Forcat e Armatosura shqiptare, duke veçuar sidomos arsimimin dhe trajnimin e 24 oficerëve të rinj shqiptarë në Shkollën e Përgatitjes së Oficerëve në Nju Xhersi. Ministrja e Mbrojtjes kërkoi që ky program pilot të kthehet në një program të vazhdueshëm.Ndërsa gjeneral brigade Grant vlerësoi bashkëpunimin midis Gardës së Nju Xhersit dhe FA shqiptare dhe theksoi se bashkëpunime të tilla janë shumë të rëndësishme për të dy palët jo vetëm për shkëmbim eksperiencash, por njëkohësisht i shërbejnë edhe të ardhmes, duke krijuar miqësi të forta e të qëndrueshme.Ministrja e Mbrojtjes Kodheli dha një leksion në Këshillin e Atlantikut, ku foli mbi ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor të kërcënimeve në pjesën lindore dhe juglindore të kufijve të Aleancës. Leksioni u ndoq me interes të madh nga të pranishmit, të cilët drejtuan mjaft pyetje mbi situatën aktuale parë në këndvështrimin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO përballë zhvillimeve të reja në botë.