Marrëdhëniet SHBA-Izrael, Netanjahu acarohet me "vëllain e madh"

Etiketimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, si "frikacak" nga një zyrtar amerikan, i hodhi benzinë zjarrit të vogël që duket se është ndezur mes tij dhe administratës së Barac Obamës.Komentet e palëve vijnë pas ditësh jo fort të mira në marrëdhëniet mes dy vendeve, në lidhje me ndërtimet që po bën Izraeli në Jeruzalemin lindor, të cilët palestienzët e shohin si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm."Bibi është frikacak", citohet zyrtari i paidentifikuar në një intervistë, sipas të cilit Netanjahu nuk ka ndërmend të arrijë ndonjë marrëveshje me palestinezët apo shtetet e tjera arabe.Netanjahu nuk ka nguruar të kundërpërgjigjet gjatë një fjalimi të mbajtur në parlamentin izraelit."Duhet kuptuar se interesat tona madhore, siguria dhe bashkimi i Jeruzalemit, nuk kanë lidhje fare me zyrtarë anonimë që më sulmojnë mua personalisht dhe vendin tonë. Sulmi ndaj meje vjen pasi unë mbroj shtetin e Izraelit", u shpreh Netanjahu."Por pavarësisht sulmeve ndaj meje, do të vazhdoj të mbroj vendin tim dhe qytetarët e Izraelit".Megjithatë, frika në vend është e madhe që përplasjet me aleatin më të madh diplomatik dhe ushtarak, do të dobësojnë pozicionin e Izraelit në rajon, sidomos pas luftës së fundit në Gaza dhe fuqizimin e grupimeve ekstremiste në Lindjen e Mesme, sikurse është Shteti Islamik.Për të shmangur rebelime të tjera, Izraeli ka kufizuar edhe futjen e myslimanëve në xhaminë Al-Aksa në Jeruzalem.Që prej pushtimit të Jeruzalemit lindor në vitin 1967, rreth 500 mijë hebrenj janë zhvendosur në zona të populluara më parë me palestinezë.