Ekspozohet në Moskë mamuthi 39 000-vjeçar
Një mamuth 39 000-vjeçar është ekzpozuar sot në qendër të Moskës. Mamuthi femër, e quajtur Juka nga shkencëtarët, është zbuluar në kushte mjaft të mira konservimi që në vitin 2010 në brezin arktik të Rusisë nga disa gjuetarë vendas.Sipas shkencëtarëve Juka është e rrallë pikërisht për kushtet në të cilat është ruajtur trupi i saj."Kemi gjetur pesë mamuthë të mëdhenj por zakonisht nuk kemi pasur mundësinë të shohim gjithë trupin. Një mamuth peshon zakonisht pesë tonë dhe zakonisht disa pjesë të trupit të tyre kanë munguar për shkak se janë dekompozuar apo ngrënë nga predatorët", shpjegon Juri Burlakov, pjesëtar I Akademisë Ruse të Shkencave. "Ndërsa ky mamuth i vogël është ruajtur i plotë dhe mund të dallohen qartë të gjithë detajet".Në trupin e mamuthit tre metra të gjatë mund të dallohen edhe gërvishtje, çka tregon se është sulmuar nga predatorët para se të ngordhte.Sipas ekspertëve mamuthi besohet të ketë qenë dhjetë vjeç në çastin e ngordhjes. Vizita e Jukas në Moskë është pjesë e një turi botëror. Deri tani mamuthi është ekspozuar në Japoni dhe Tajvan. Shkencëtarët po kërkojnë vazhdimisht për ekzemplarë të tillë, të mirëruajtur në mënyrë që të kenë mundësi të klonojnë kafshën e zhdukur prej shekujsh.