4 ministra shqiptarë “pushtojnë” Beogradin, Bushati: Mos u shqetësoni nga vizita e Edi Ramës

Beograd-Katër ministra shqiptarë janë ulur në tryezën e Samitit të Beogradit në kuadër të nismës për "Bashkëpunim të përforcuar në kuadër të procesit të Stabilizim - Asociimit".Ditmir Bushati e Arben Ahmetaj si dhe dy ministrat kosovare Enver Hoxhaj dhe Fadil Ismaili kanë qënë mysafirët e vecantë të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç.Një samit që duket si një test dhe përgatit terrenin për vizitën e 10 nëntorit kur kryeministri Edi Rama do të shkelë Beogradin. I bombarduar me pyetje rreth kësaj vizite ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati tha se axhenda po përgatitet në bashkëpunim me autritetet serbe dhe se askush nuk duhet të ndihet i shqetësuar nëse Rama viziton Preshevën.“ Gjithçka do të realizohet në bazë të mirëkuptimit dhe praktivave të përbashkëta mes dy vendeve. Kjo është normale dhe arrij ta kuptoj pse ka kaq shumë pyetje. Asgjë nuk ka për të ndodhur, ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për tu anëtarësuar në BE”, tha Bushati.Pas akuzave të ashpra ndaj vendit tonë e poltikës shqiptare si të përfshirë në provokime në ndeshjen Serbi-Shqipëri me banerin që u valëvit mbi Beograd, mikpritësi Daçiç ka shtrënguar duart me homologët e tij shqiptarë, ministrat e Shqipërisë dhe Kosovës.Jo vetëm kaq por në mbyllje të samitit i është dashur të pranojë se takimi I rradhës do të mbahet në Prishtinë.Madje Dacic ka kërkuar forcim të marrdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e në ndihmën që u duhet dhënë njëri-tjetrit për tu integruar në Bashkimin Europian. Duke pranuar kështu de fakto pavarësinë e Kosovës.