S'ka regjistra në shkolla, mësuesit po hedhin notat e nxënësve në fletore
Tiranë- Në shkolla nuk ka regjistra. Edhe pse ka më shumë se një muaj që arsimi parauniversituar ka nisur vitin e ri shkollor, të dhënat dhe vlerësimet e nxënësve mbahen në fletore të improvizuar apo blloqe. Denoncimi për mungesën e regjistrave në shkolla u bë më dy ditë më parë nga Partia Demokratike.Ora News u interesua pranë shkollave të kryeqytetit, por në mungesë të përgjigjeve nga drejtuesit e këtyre shkollave, me këtë filmim amator tregohet se mësuesit përdorin fletoret në vend të një regjistri.Iu drejtuam Ministrisë së Arsimit për të ditur se përse ndodh kjo situatë dhe kur do të bëhet paisja me regjistra.Ministria tha se qëndrimi është tashmë publik në këtë deklaratë, ku thuhet se "Prej disa ditësh Drejtoritë Arsimore Rajonale në gjithë vendin janë duke tërhequr regjistrat dhe shkollave nuk u ka munguar dhe nuk do t'u mungojë asgjë për mbarëvajtjen e procesit mësimor.Regjistrat e rinj pasqyrojnë në format sistemin e ri të vlerësimit të nxënësve të aplikuar për herë të parë këtë vit të shkollor. Kompania fituese e prokurimit "Blerje regjistra shkollor për sistemin arsimor parauniversitar", "ILAR'' që ka fituar prokurimin e këtyre mallrave përkatësisht edhe në vitet 2010, 2012, 2013".Ndryshe nga deklarata e Ministrisë, disa nga Drejtoritë Arsimore në vend faktojnë mungesën e regjistrave.Drejtorja e DAR Durrës, Lindita Muka, tha se shkollat e mesme nuk kanë regjistra.Për kreun e DAR në Fier, Shkëlqim Allkaj, regjistrat kanë ardhur në Drejtori po nuk janë tërhequr nga drejtuesit e shkollave.Mes këtyre deklarateve kundërshtuese, ajo që duhet të shqetësoj institucionet në këtë rast është se në shkolla, sidomos në gjimnaze, po punohet pa regjistra.