Nis viti i ri akademik, problem studentët e Universiteteve të mbyllura
46 Universitete publike dhe private në gjithë vendin kanë hapur dyert sot për të pritur në auditoret e tyre studentët.Viti i ri akademik 2014-2015 nis me 18 Universitete më pak se një vit më parë, institucione të arsimit këto që u mbyllën me propozim të Ministres dhe vendim të qeverisë për shkak se nuk plotësonin kriteret ligjore.Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, zgjodhi Universitetin e Mjekësisë për të uruar vitin e ri akademik. Ajo tha se edhe këtë vit nxënësit më të shkëlqyer zgjodhën për të studiuar pikërisht dëgën e mjekësisë.Aktualisht nuk ka statistika zyrtare lidhur me numrin e studentëve që ulen për herë të parë në auditore, apo numrin e përgjithëm në të gjitha vitet e studimit, për shkak se vijon ende regjistrimi i studentëve të Universiteteve të mbyllura.Edhe këtë vit studentët do të jenë të detyruar të zhvillojnë mësimin me dy turne. Auditoret do të jenë të hapura deri në orët e mbrëmjes, për shkak të mungesës së infrastrukturës.Korpusi Universitar, një nga projektet më të mëdha të UT nuk është miratuar përkundër faktit se projekti është gati.Ndërkaq sfida që mbetet për këtë vit është akreditimi i Universiteteve. Është një agjenci britanike që do të bëjë akreditimin e Universiteteve, të cilat kaluan fazën e parë të seleksionimit.