Bushati-Murphy: Retorika pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, s’i shërben bashkëpunimit
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Senatori amerikan Murphy ndanë mendimin se situata e krijuar pas ndeshjes së 14 tetori mes Serbisë dhe Shqipërisë është një retorikë që nuk i shërben bashkëpunimit, dhe prosperitetit të vendeve të rajonit.Gjatë pritjes që Bushati i bëri senatorit në Ministrinë e Jashtë, të dy zyrtarët vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e mëtejshëm e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.Senatory Murphy vlerësoi rolin aktiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si për kontributin e dhënë për forcat e armatosura të Irakut, renditjen në krah të aleatëve në luftë kundër terroristëve të ISIL, ashtu dhe mbështetjen për krizën në Ukrainë.Ai vlerësoi, gjithashtu, përqasjen e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në planin politik, ekonomik dhe në kuadër të NATO-s.Ministri Bushati, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA, falënderoi Senatorin Murphy për kontributin e tij personal në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjithashtu, Ministri Bushati shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së dhe vlerësoi rolin e saj të rëndësishëm për prosperitetin e të gjitha vendeve të Ballkanit.Ministri Bushati dhe Senatori Murphy diskutuan veç të tjerash edhe për situatën e tensionuar që krijoi ndeshja e 14 tetorit në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe ndanë të njëjtin mendim se retorika e pas ndeshjes nuk i shërben bashkëpunimit dhe prosperitetit të vendeve të rajonit.ex/oranews.tv/