Meta: Dy vendet të shohin drejt BE, kjo më e rëndësishme se një ndeshje
Për herë të parë ka reaguar edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta për situatën e krijuar mes Serbisë dhe Shqipërisë pas ndeshjes së 14 tetorit në Beograd. Ky reagim i Metës ka ardhur gjatë takimit me senatorin amerikan, Christopher Murphy.“Më e rëndësishme është të fitojmë të ardhmen e përbashkët evropiane se sa një ndeshje sportive. Ne e mirëpresim angazhimin e Serbisë në funksion të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të dy popujve dhe qytetarëve tanë, gjë që realizohet vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe qëndrimit larg retorikave të panevojshme nacionaliste që tentojnë të na kthejnë pas në histori. Shqipëria qëndron e hapur për dialog dhe bashkëpunim konkret më Serbinë, ashtu si edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit”.Nga ana e tij Senatori Murphy shprehu kënaqësinë e vizitës së tij në Tiranë dhe mirënjohjen e thellë të SHBA për kontributin e Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare të NATO-s në Afganistan dhe Irak. “Shqipëria, pavarësisht se është në vend i vogël, është një nga aleatët më të medhenj të SHBA. Ne e vlerësojmë aleancën tonë të veçantë dhe qëndrojmë gjithnjë përkrah Shqipërisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik”, nënvizoi Senatori Murphy.Gjithashtu, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të SHBA në kuadër të forcimit të institucioneve në Shqipëri dhe në veçanti në drejtim të reformës në drejtësi. “Kuvendi e vlerëson mbështetjen e SHBA dhe inkurajon një prezencë gjithnjë e më të fortë amerikane në Shqipëri e rajon, veçanërisht për avancimin e reformave kyçe që e çojnë Shqipërinë më afër standarteve bashkëkohore të Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe në drejtim të rritjes së investimeve amerikane në rajon”, u shpreh Meta.