E përdhunuara Marte Tunaj: Bota ta dijë ç'ndodhi gjatë luftës në Kosovë
Kosovë - Marte Tunaj është gruaja e vetme në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës. Rrëfeni dhe vetëm rrëfeni dhe tregoni botës se çka ndodhi me ne është porosia e saj.Marte Tunaj, rrëfen për rajonipress, se ishte e dhunuar nga serbët dhe është e vetmja grua kosovare që në Gjykatë dëshmoi publikisht dhe nuk hezitoj të tregojë barbarinë e paramilitarëve serb. Tuna tani ka një moshë të shtyrë dhe merr vetëm 96 euro ndihmë nga shteti. “Kam dëgjuar se tani gratë e dhunuara po identifikohen në tërë Kosovën, por janë plotë gra që nuk duan të dëshmojnë, - thotë ajo. - Unë mendoj se ato gabojnë shumë rëndë nëse nuk rrëfehen. Bota duhet të dijë se çfarë ndodhi me ne."Marte Tunaj me prejardhje nga Gjakova është e martuar në Verban të Vitisë dhe ka një histori interesante. Ajo më 30 maj të vitit 1999 ishte keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Millosh Jokiq ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti. Në veçanti deklarata e Marte Tunajt se ishte dhunuar nga Jokiç ishte aq e guximshme saqë Jokiç u arrestua urgjentisht nga forcat e KFOR-it.Por nuk përfundon këtu historia e Marte Tunajt. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t`i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhur me Jokiqin. “E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokiçin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokiçi. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund” rrëfen ajo për rajonipress.Tunaj thotë se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fala Kosovës, djalit tim Sherifit i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe ishte i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.Ajo së bashku me burrin e saj Vebih Selmanin dhe djemtë ishte pjesëmarrëse e luftës së fundit. Lufta me të mirat e me të këqijat asaj i solli një ngjarje tronditëse. Për shkak të aktivitetit në UÇK të burrit të saj dhe djemve ajo u dhunua nga paramilitarët serb.”Nuk jam pishman që u kam dhënë bukë pjesëtarëve të UÇK-së dhe u kam qepur edhe rrobat, - shprehet ajo. - E kam bërë me vullnet e dëshirë, por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua.”Marte Tunaj është femra e vetme në Kosovë që ka dëshmuar publikisht për dhunimin e kryer nga ana e Millosh Jokiqit. Tunaj ka dëshmuar në prezencë të burrit dhe publikut në sallë dhe si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokiç ishte dënuar me 20 vite burgim.Në gjykimin kundër Millosh Jokiqit patën dëshmuar 40 dëshmitarë në mesin e tyre edhe Marte Tunaj nga Verbani i Vitisë. Tunaj me dëshmi rrëqethëse pati prezantuar para trupit gjykues që udhëhiqej nga Patrice de Charette, shumë fakte dhe prova bindëse. Millosh Jokiç, sipas Marte Tunajt më 30 maj 1999 nën kërcënimin e thikës ka kryer marrëdhënie seksuale. Jokiçi ishte i armatosur deri në dhëmbë.