Ditari politik i një vendi, ku nuk njihet dialogu

Tiranë - Kjo javë nisi me tryezën e shumëpritur për drejtësinë. Të hënën politika u shfaq siç nuk është zakonisht, e rreshtuar krah për krah, pa komunikim të drejtpërdrejtë dhe në vend të zgjidhjeve konkrete fituan terren batutat dhe mimikat. Vetëm dy fjalë i artikuluan të gjithë në tryezë, reformë dhe gjithpërfshirje.Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje perceptimin në publik dhe tek patnerët ndërkombëtarë që ka korrupsioni në drejtësinë shqiptare Edhe Kryetari i partisë më të madhe në opozitë, Lulzim Basha, e mbështet reformën por është më i shqetësuar më mënyrën se si duhet bërë ajo.Në fund të ditës, për qytetarët mbeti shija e mosshtrëngimit të duarve mes Ramës e Bashës dhe gjuha e trupit e politikanëve teksa flisnin të zgjedhurit e tjerë të popullit. Të mërkurën e 8 tetorit, kur u publikua Progres Raporti i BE për Shqipërinë, u bë edhe më e qartë se tryeza e së hënës nuk kishte prodhuar ndonjë progres. Rama dhe Basha, u shfaqën sërish në deklarata publike për të dëshmuar se qëndrimet e tyre janë larg dhe se dialogu politik është një kriter larg mundësisë dhe mendësisë për tu arritur.Të nesërmën, sërish Rama e Basha u morën me njëri tjetrin. Sikur të mos mjaftojnë daljet televizive disa herë gjatë ditës ata kujdesen të thumbojnë njëri tjetrin me mesazhe në rrjetet sociale.Edhe pse të kujdesshëm për të mos e thënë hapur, ish-Krybashkiaku dhe bashkiaku i Tiranës zhvillojnë paralelisht dy beteja atë për qeverinë dhe për Tiranën e djeshme dhe të sotme.Ditë e re, mesazh i ri, qëndrim i vjetër, që nuk ofron zgjidhje për të ardhmen. Vetëm kështu mund të lexohet mënyra shterpë e komunikimit publik midis dy aktorëve të rëndësishëm të politikës shqiptareTeksa Rama dhe Basha vazhdojnë luftën e tyre verbale për qëllime të qarta politike, ata që humbasin janë dhe më të pafajshmit, qytetarët që presin rezultate dhe ndryshim të cilësisë së jetës së tyre. Pak’kush është i prirur të besojë se me dhëmbët e eskavatorëve që prishin mure të paligjshëm, do të vendoset në vend ligjshmëria. Pak’kujt iu ngjall shpresa këtë javë se kokat e politikës e kanë të sinqertë dëshirën për të vënë drejtësi dhe për luftë pa kompromis korrupsionit. Shumëkush u bë dëshmitar i një tjetër jave të shpenzuar siç nuk duhet e nuk i shërben një vendi europian.Oranews.tv