Tenori Agim Hushi: Për 7 vjet, u pengua jeta ime artistike

Tenori shqiptar me famë botërore, Agim Hushi i ftuar në “Ditë e Re Weekend”, ka rrëfyer disa nga peripecitë e tij në jetën artistike. Ai ka treguar se për disa arsye, mbase jo të mirëfillta politike i kanë penguar atij jetën artistike në Shqipëri për 7 vjet.

Artisti Hushi shprehet se politika, apo edhe faktorë të tjerë nuk duhet të ndikojnë në jetën e një artisti. Ai deklaroi se ata që drejtojnë Teatrin e Operas duhet ta kuptojnë se ai institucion është i të gjithë shqiptarëve.

“Përsa i përket ardhjes në Shqipëri dhe këtij momenti pas 7-vjeçar unë them se është një ngjarje e veçantë për mua sepse ka shumë kuptime. Kuptimi i parë është i asaj që mbase duke e thënë me zë të lartë këtë fakt, të rinjtë dhe ata që drejtojnë sot operën duhet të kuptojnë që ky është teatri i shqiptarëve dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj force politike, apo rrethana personale të çfardollojshme që të pengojnë rrjedhën normale të një teatri, rrjedhën normale të një artisti, që për asnjë aryse nuk duhet të ndërpritet padrejtësisht apo padenjësisht. Me mua ka ndodhur për 7 vjet. Arsyet, unë nuk jam ekspert që t’i imagjinoj të gjitha, por mendoj se ka qenë pjesë e një klani të vogël 2-3 njerëzish që kanë menduar; më mirë t’i rrimë larg sherrit duke e patur Agimin afër. Kanë qenë disa motive mbase, jo të mirëfillta politike, por të kësaj natyre.”

Tenori Hushi shprehet i bindur se ai me shpirt ngelet pjesë e Teatorit të Operas dhe Baletit, sepse ka qenë një nga të parët e këtij teatri qysh nga fillimi i viteve 1990.

“Shpirtërisht unë mbetem pjesë e Teatrit të Operas, qysh ditën që e kam lënë në vitin 1992, por në këtë teatër unë jam rritur, unë kam bërë produksionin e Toskës, për herë të parë në 1991, me të mirënjohurën Shqipe Zani, duke dhënë atë kontributin tim. Jam i pari që kam bërë recitalin e parë të operas, sigurisht kjo meritë e ish-drejtorit Zhani Ciko, me të cilin kemi punuar shkëlqyeshëm, por që nga fundi nuk e di çfarë ndodhi. Gjithësesi unë i kthehem pozitivitetit, ka qenë një histori që padrejtësisht u ndërpre, por tashti u fut në atë rrjedhën normale dhe uroj që ky normalitet të vazhdojë dhe të mos ndodhi më kurrë ai 7 vjeçar”