Halimi: Përjashtimi i opozitës nga delegacioni i IPU, shkelje e kushtetutës
Deklarata e kreut të Kuvendit Ilir Meta, që administrata e Kuvendit do bëjë takime me grupin parlamentar të PD që kjo forcë politike të përfaqësohet në Unionin Ndërkombëtar parlamentar, nuk e ka qetësuar PD.Eduard Halimi ka denoncuar përjashtimin e opozitës nga delegacioni për në Unionin Parlamentar Botëror. Në një dalje për mediat nga selia blu, deputeti i PD tha se kjo që po bën dyshja Rama-Meta është në shkleje të hapur me kushtetutën.“E bëjnë këtë, në kundërshtim të hapur dhe injorim të Kushtetutes së vendit, e cila në nenin 75 pika 2, e detyron dyshen Rama Meta, të zbatojnë Rregulloren e Kuvendit, gërmë më gërmë e pikë për pikë. E bëjnë si gjithmonë me arrogancë duke shkelur në mënyrë flagrante atë që Kushtetuta u kërkon të respektojnë, Rregulloren e Kuvendit e cila në nenin 7, pika 3, e detyron kryetarin e Kuvendit që në përbërje të delegacioneve të pasqyrojnë përbërjen politike të Kuvendit. Përbërje e cila vjen nga vullneti i të përfaqësuarve, vullneti i sovranit. Përbërje e delegacionit sipas Kushtetutes do të thotë hapësirë kushtetuese për opozitën e vendit. Këtë thotë qartë dhe troc Kushtetuta e Republikes, këtë e thotë qartë dhe troc Regullorja e Kuvendit, e zeza mbi të bardhë”, tha Halimi.Sipas Halimit pjesmarrja e opozitës në këtë delegacion është një e drejtë kushtetuese që nuk varet as nga Ilit Meta dhe as nga Edi Rama. Deputeti demokrat u shpreh se me këtë akt Rama dhe Meta po thellojnë arbitraritetin e pushtetit të tyre oligarkik.“Ta bëjmë të qartë për cdo shqiptar, se ajo që denoncon opozita, është përjashtimi anti-kushtetues, jo si lëshim i Ilir Metës e Edi Ramës, por si një e drejtë Kushtetuese që i takon opozitës së vendit, si e drejtë e cdo opozite në cdo vend demokratik dhe europian. Por me këtë akt, antikushtetues, antieuropian dhe të paprecendent në këto 23 vite demokraci, Ilir Meta dhe Edi Rama po thellojnë arbitraritetin e pushtetit të tyre oligarkik, por harrojnë se sa të pabesueshëm dhe po aq qesharake janë bërë në sytë e cdo shqiptari, në sytë e cdo partneri. Shihni se si është kthyer e enjtja e parlamentit, një prodhim i Kinostudios Shqipëria e Re. Ndaj në emer të Partisë Demokratike i bëjme thirrje dyshes Rama-Meta të heqin dorë nga shkelja me arrogancë e Kushtetutës së vendit, të dëgjojnë Brukselin që foli qartë, dhe ti japin opozitës atë që i takon: hapësirën kushtetuese parlamentare.”