71 votat PS+PDIU, Meta: Me apo pa Spartak Brahon?
Tiranë- Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur me një batutë ironike afrimit të PDIU-së me mazhorancën dhe llogarisë aritmetike se PS+PDI bëjnë 71 vota.Megjithatë Meta tha se çdo afrim drejt mazhorancës nuk përbën problem për LSI-në.Koalicioni me PS po funksionon thotë Meta dhe nuk ka kthim acari mes dy partive.Lidhur me raportet me Ramën, ai thotë se janë konstruktive dhe nuk kanë pësuar firo pas një viti bashkëqeverisje.Meta komentoi edhe arrestimet e zyrtarëve të lartë nga Prokuroria.Pjesë nga intervista:Zoti Meta, Kryeministri Rama në një dalje televizive dy ditë më parë konfirmoi atë që, në fakt, pothuajse ne të gjithë e dinim: që tashmë PDIU-ja e Shpëtim Idrizit me shumë gjasa është në fazën e fundit të negociatave teknike, pra jo politike, sepse ajo është kapërcyer, të paktën nga informacionet që kam unë, për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar tuajit dhe të zotit Rama. Natyrisht që çdo parti politike merr vendimet e saj, ka platformat dhe pikësynimet e saj. Megjithatë është shumë interesant fakti se nëse pesë deputetët e PDIU-së i bashkohen koalicionit qeverisës, ata sjellin një situatë të çuditshme brenda vetë gjirit tuaj, pasi 66 deputetët e PS-së dhe 5 deputetët e PDIU-së do t’i jepnin zotit Rama një shumicë prej 71 votash...Ilir Meta – 66 deputetë bashkë me zotin Braho, apo pa zotin Braho?Këtë duhet të ma ndani ju. Gjithsesi, kam përshtypjen se 66 deputetë janë pa zotin Braho. Megjithatë 66+5 bëjnë 71. Pra do të kishte një maxhorancë dhe 18 mandatet e LSI-së nuk do të kishin vlerën e 4 mandateve që patën 4 vjetët e kaluara. A ju shqetëson ky fakt?Ilir Meta – Atëherë, nuk ekziston asnjë shqetësim për këto fakte të pretenduara, sepse koalicioni...Zoti Rama as nuk e përjashtoi dhe as nuk e pohoi, por tha që nuk do të ketë ndryshime...Ilir Meta – Nuk po flas për këtë çështje, po flas për qëndrimin tonë. LSI-ja ka një marrëveshje me Partinë Socialiste, që është marrëveshja e njohur, marrëveshja e Shkodrës, ose e bërë publike në Shkodër, dhe i qëndron asaj marrëveshjeje dhe respekton çdo vendim tjetër të Partisë Socialiste si forca kryesore e këtij koalicioni qeverisës.Nuk ka asnjë shqetësim për ne në rast se Partia Socialiste me disa parti të tjera, pa LSI-në, bën 71, apo 75, apo 80 vota, përkundrazi, sepse çdo rritje, sidomos e mbështetjes politike në parlament do të ishte e dobishme për të ecur më shpejt me reformat, të cilat kërkojnë një mbështetje sa më të gjerë parlamentare. Pra, në këtë drejtim nuk ekziston asnjë shqetësim nga ana e LSI-së, përkundrazi, çdo shtim i maxhorancës parlamentare është i mirëpritur.Jeni përfshirë në këtë bisedë, që tashmë duket se po bëhet publike?Ilir Meta - Kjo nuk është një çështje që e kërkon përfshirjen time apo të LSI-së. Ky është një raport, mendoj unë, që i takon Partisë Socialiste, për çdo parti, nuk dua të përmend asnjë emër partie, për të vendosur raportet e bashkëpunimit. Për ne është e rëndësishme të ruhet fryma, thelbi dhe objektivat e marrëveshjes së Shkodrës. Dhe ajo prurje e re, aq më tepër parlamentare, është e mirëpritur.Zoti Meta, të paktën nga kontaktet që kam me drejtues qendrorë dhe lokalë ka një bindje të përgjithshme se situata në bazë, pas mjaltit të muajve të parë, pas fitores së 23 qershorit, midis LSI-së dhe PS-së është pak e ftohtë, pra, ka një rikthim të acarit midis dy partive, që bashkëqeverisin dhe që dikur kanë qenë bashkë. A ju shqetëson kjo? Dhe a është e vërtetë kjo, apo jo?Ilir Meta – Kjo më duket njësoj si ato shqetësimet kur u shpall koalicioni, që ky është koalicion midis Ramës dhe Metës, por nuk do të pranohej, sepse ishte baza që do të sillte rezultate të kundërta, ndërkohë që u prodhua një maxhorancë mjaft solide.Për sa i takon situatës në bazë, unë kam qenë vazhdimisht në qytete dhe rrethe të ndryshme, është një marrëdhënie mjaft konstruktive dhe aty ku ka përpjekje qoftë nga përfaqësues të LSI-së, qoftë të Partisë Socialiste, apo të forcave të tjera politike, që problemet e tyre personale t’i kthejnë në probleme midis forcave politike, natyrisht që ne kemi mbajtur qëndrimet tona dhe do të mbajmë qëndrimet tona në të ardhmen, si LSI-ja ashtu edhe Partia Socialiste.Ju shqetëson fakti, zoti Meta, se ka një valë, ka një aktivitet, një superaktivitet të prokurorisë, qoftë në Tiranë, qoftë në rrethe, arrestime zyrtarësh, që dyshohen për korrupsione etj., etj.?Nuk ju shqetëson fakti që në shumicën absolute të tyre këta zyrtarë që po arrestohen janë zyrtarë të LSI-së?Ilir Meta – Unë nuk kam statistika të tilla, por mund t’ju them që ne mbështesim fuqimisht luftën kundër korrupsionit, angazhimin e gjithë institucioneve, përfshirë edhe prokurorinë, dhe absolutisht për ne çdo njeri që shkel ligjin nuk përfaqëson as LSI-në dhe asnjë forcë politike dhe do të përgjigjet përpara ligjit.Raporti juaj me zotin Rama, një pyetje e fundit.Ilir Meta – Mendoj që është një raport shumë konstruktiv.Ka pësuar firo nga viti i kaluar, për shkak të qeverisjes, për shkak të debateve që sigurisht i keni pasur, apo jo?Ilir Meta - Jo, nuk ka hyrë në ujë, nuk kishte si të pësonte firo.