Mogherini: Kosova të formojë qeverinë, të vazhdojë dialogun me Serbinë
Kosove- E sapozgjedhura në postin e shefes së diplomacisë evropiane, italiania Federica Mogherini, i është përgjigjur për orë të tëra pyetjeve të deputetëve evropianë.Ajo ka folur për tema të shumta globale, që nga marrëdhëniet me Amerikën Latine e deri tek lufta kundër ISIS-it, por Ballkanit Perëndimor i ka kushtuar vetëm pak sekonda.Kur ka folur për rajonin, ka thënë se shtetet e Ballkanit duhet të bëhen gati për hyrje sëbashku në Bashkimin Evropian.Ndërsa, duke folur për Kosovën, ajo ka thënë se qeveria në Prishtinë duhet të formohet sa më shpejt në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Serbinë.Kuvendi i Kosovës ka pak shanse që të mblidhet edhe këtë javë, pavarësisht mbledhjes së nënshkrimeve nga blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, që kjo seancë të thirret për ditën e enjte, më 9 tetor.Partia Demokratike e Kosovës si Grupi më i madh parlamentar, që është përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ka paralajmëruar se do të marr pjesë vetëm në seancën që do të thirret nga kryesuesja Flora Brovina.Andaj, në vend të debatit që blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje e kërkojnë në Kuvend, PDK kërkon që negociatat të zhvillohen paraprakisht.Zyrtarë të PDK-së të kontaktuar nga programi ynë, kanë rikujtuar se nuk ka devijim nga deklaratat që lideri i kësaj partie dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi i ka bërë gjatë fundjavës.Thaçi kishte ftuar të gjitha partitë parlamentare të ulen dhe së bashku të gjejnë zgjidhje, duke parashikuar se negociatat ndër partiake do të krijonin rrethana edhe për lëshime e kompromise politike.Marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i njeh vetëm PDK-së të drejtën e propozimit të kandidaturës për kreun e Kuvendit, analistët kryesisht kanë mbështetur zgjidhjen që PDK të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, të provoj formimin e qeverisë së re të Kosovës.