Sina: Gjyqtari, jo anëtar i KLD, se s'mund të dënojë as veten, as mikun

Tiranë – Kush është gjyqtar, nuk duhet të jetë anëtar i KLD-së, sepse nuk mund të vendosë të dënojë vetveten dhe as mikun e tij. Eksperti i së drejtës kushtetuese, pedagogu Darjel Sina, në një intervistë për gazetarin Edvin Preçi në “Ora News” theksoi shprehimisht se një individ nuk mund të jetë bartës i dy funksioneve dhe KLD-ja duhet të fillojë të punojë si organ që ndëshkon, që sjell frikën e ligjit.“Problem në Shqipëri është zvarritja e proceseve gjyqësore, - tha Sina. - Duhet parë që tek shkalla e pare, disa gjyqe duhet të vendosen me kategori, duhet të përfundojnë shpejt sepse thjesht, baza e tyre është shumë e lehtë për të përfunduar. Dhe këtu hyn KLD-ja, në një process ku ne kemi gati 10 vjet e duhet parë: Sa gjyqtarë janë dënuar në këtë shtet? Ne kemi thënë që kemi një gjyqësor të korruptuar, por, sa gjyqtarë janë dënuar?Ne nuk kemi gjyqtarë të dënuar; është shumë pak numri e nëse janë dënuar në një fazë, në fazën tjetër kanë dalë të pafajshëm. Pra, duhet të fillojë të punojë KLD-ja si organ, i cili ndëshkon. E këtu tani duhet - siç ekzistonte një nen në Kushtetutën greke, që erdhi pikërisht për këtë arsye, ku u vendos papajtueshmëria - që një gjyqtar nuk mund të jetë anëtar i KLD-së, sepse unë nuk mund të vendos vetveten ta dënojë dhe as mikun ta dënojë. Pra, kush është gjyqtar, nuk duhet të jetë anëtar i KLD-së.Ky është mendimi im i prerë. Sepse nuk mundet, sepse nuk bën, dy funksione njëkohësisht te një individ. Ligji i ri, reforma gjyqësore, - përfundoi eksperti, - duhet të ketë parasysh që këto subjekte, këta mbartës të dy funksioneve të mbarojnë.”armanda shtembari/Oranews.tv