Gjykata e Hagës kërkon burgim të përjetshëm për Radovan Karaxhiç

Në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë ka rinisur sot gjyqi ndaj Radovan Karaxhiç.Prokurorët e Tribunalit të Hagës kanë kërkuar burgim të përjetshëm për Karaxhiçin për krimet e tij të dyshuara, përfshirë edhe masakrën e afro 8 mijë meshkujve dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995. Prokurorët pretendojnë se "nën komandën dhe mbikëqyrjen e tij, janë vrarë, torturuar dhe keqtrajtuar në mënyra të tjera, mijëra myslimanë dhe kroatë". Por kush është Karaxhiç?Komandanti suprem i ushtrisë serbe të Bosnjës Radovan Karaxhiç hyri në politikë pasi linja nacionaliste filloi të paralajmërojë shpërbërjen e Jugosllavisë së vjetër. Së bashku me komandantin e tij ushtarak, gjeneralin Ratko Mlladiç, shumë shpejt e vlerësoi veten si një udhëheqës të qëndrueshëm të luftës. Ashtu si shumë të tjerë që u bënë të njohur gjatë luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë, ai nuk ishte një boshnjak autokton. Karaxhiç lindi më 19 qershor 1945 në një fshat malor në Malin e Zi , ku më pas u zhvendos në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë. Ai u kualifikua si psikiatër i specializuar në neurozë dhe depresion, duke u futur shumë shpejt në jetën kulturore të kryeqytetit kozmopolit, madje botoi edhe tre libra në këtë fushë.Zotërimi i mirë i anglishtes e bëri atë zëdhënës për serbët e Bosnjës në ditët e para kur ata ishin afruar në bisedimet e paqes në Nju Jork, Londër dhe Gjenevë. Ai provoi të jetë një negociator dinak, duke ngritur kurthe ndaj diplomacisë ndërkombëtare. Karaxhiç ishte i kujdesshëm për të marrë pëlqimin në referendumet për vendime të mëdha, të tilla si plani i paqes i Bashkimit Evropian në verën e vitit 1993 . Sulmet ajrore të NATO-s në fund çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit në dhjetor të 1995, e cila i dha fund luftës thuajse katër vjecare, ku 200.000 persona u vranë dhe dy milionë të tjerë u zhvensosën .Marrëveshja parashikonte që Karaxhiçi të heqë dorë nga pushteti, por ai vazhdoi të ushtrojë ndikim të madh mbi pjesën e kontrolluar nga serbët e Bosnjës , duke anashkaluar marrëveshjet dhe duke minuar pasardhësen e tij Biljana Pllavsiç. Në vitin 1995 Gjykata e Krimeve të Luftës e Kombeve të Bashkuara e akuzoi Karaxhiçin për krime lufte, përfshirë genocid dhe krime kundër njerëzimit.Në veçanti ai u akuzua për rrethimin 43 mujor të Sarajevës dhe masakrën e Srebenicës. Pas 11 vitesh në arrati, Karaxhiç u arrestua në një autobus në rrethinat e Beogradit në korrik 2008, ku ai kishte jetuar i fshehur si një mjek dhe me pamje të ndryshuar. Pas arrestimit u ekstradua në Hollandë për t'u paraqitur në gjyq në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.Në 2013 Karaxhiç thirri në mbrojtje aleatin e tij Ratko Mlladiç. Karaxhiç përballet me burgim të përjetshëm për 11 akuza për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, vrasje, deportim, terror dhe sulme të paligjshme ndaj civilëve. Ish-lideri 68-vjeçar boshnjak, i mohon të gjitha akuzat.