Bushati: Luftëtarët e IS, rrezik edhe për shtetet e origjinës

News York- Shqipëria i është bashkuar vendeve që mbështesin rezolutën mbi luftëtarët e huaj terroristë të miratuar mbrëmjen e 24 shtatorit nga Këshilli i Sigurimit në sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ishte në New York për të marrë pjesë në këtë mbledhje si përfaqësues Shqipërisë."Luftëtarët e huaj terroristë paraqesin një rrezik gjatë gjithë trajektores së lëvizjes së tyre, si në destinacionin përfundimtar ashtu edhe në shtetet ku ata tranzitojnë. Por ky rrezik është po ashtu i madh edhe për shtetet e origjinës, kur kthimi në këto vende paraqet rrezik potencial veçanërisht atëherë kur strukturat e sigurisë janë të pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është i pa konsoliduar ose kur ka rrethana komplekse të përbërjes etnike ose fetare, siç është rasti në Ballkan. Shqipëria është krenare që është ndër vendet e para të cilat i janë përgjigjur kësaj sfide," theksoi Bushati gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit,Ministri Bushati nënvizoi nevojën e adresimit të faktorëve socialë dhe ekonomikë që favorizojnë përfshirjen e luftëtarëve të huaj në rrjetet dhe aktivitetet terroriste.Në mbyllje të fjalës së tij, Ministri shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për forcimin e paqes dhe stabilitetit.Rezoluta konfirmon vendosmërinë e shteteve anëtare për të bashkërenduar veprimet ndaj terrorizmit në të gjitha format e tij, të cilat përbëjnë rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.