Nishani - Papa Franceskut: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja
Por, Presidenti Nishani theksoi edhe një fakt në fjalimin e tij: "Vendi im i ka dhuruar martirë e shenjtorë Kishës Katolike ndër shekuj, ndërsa brenda historisë sonë kombëtare komuniteti katolik, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe kleri i saj zënë një vend nderi.
Ne të gjithë jemi krenarë që gjuha shqipe e shkruar ngjizet me një formulë të shenjtë “Unë të pagëzoj në emër të atit e të birit e shpirtit shenjt” në vitin 1462. Ky bekim hyjnor e ruajti atë nga zhdukja që i kanosej. Jo rastësisht libri i parë i gjuhës shqipe është një “Meshar” i vitit 1555, i murgut Gjon Buzuku, për të vijuar me të tjerë shkrimtarë e prelatë katolikë si Budi, Bogdani, Bardhi deri tek poeti kombëtar Gjergj Fishta e shumë të tjerë, të cilët ushqyen limfën e identitetit kombëtar në një periudhë të rëndë të historisë së kombit."
Dhe në përfundim, kreu i shtetit shqiptar nënvizoi: "Integrimi evropian është kryefjala e politikës shqiptare, e qeverisë dhe opozitës, fakt ky që e ridëshmon vokacionin evropian të shqiptarëve. Në këtë kontekst, Shqipëria marrëdhëniet me Shtetin e Vatikanit në vijim të historisë, të së tashmes dhe të së ardhmes i ka strategjike, jo vetëm në emër të komunitetit katolik dhe Kishës Katolike Shqiptare, por të krejt kombit, ndaj i dëshirojmë ato intensive, në nivelin më të lartë dhe të përjetshme."