Qeveria 165 mln lek për xhaminë e re, pronarët: S'lejojmë grabitjen e tokës për fenë
“Për të promovuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, nga njera anë do të mbyllim gjithë kalvarin e gjatë që ka penguar ndërtimin e xhamisë së re, duke vënë në dispozicion fondin e shpronësimit dhe do të mbajmë zotimin që do të kemi një xhami pa pallat dhe supermarkato”.Kjo deklaratë e kryeministrit Rama tregon edhe një herë se nga e thëna tek faktet na ndan një det i tërë. Për ndërtimin e xhamisë fillimisht duhet të nisin shpronësimet e truallit të Namazgjasë, sepse në këtë hapësirë janë 3030 m pronë private.Përfaqësuesi i familjes Kruja që është pronare e kësaj hapësire, Alban Bala thotë se ka patur vazhdimisht takime formale e informale me zyrtarë të qeverisë, por ende nuk kanë rënë dakort për vlerën e shpronësimit. Pronarët thanë se nuk do të lejojnë me asnjë kusht që toka e tyre të grabitet nga feja.Në truallin e premtuar vazhdimisht për xhaminë e madhe të Tiranës, nuk është kryer më asnjë punim. Në të ka vetëm bar e shkurre, here-herë dhe makina të parkuara të zyrtarëve që shfrytëzojnë këtë hapësirë.Ora News kontaktoi me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë se çfarë po ndodh me objektin e kultit të tyre dhe zyra e shtypit tha se do të ketë një qëndrim pas disa ditëve.Ndërsa nga Ministria e Financave mësuam se 165 milion lekë është shuma që do të japë qeveria nga buxheti i shtetit për shpronësimet dhe ndërtimin e xhamisë dhe të një objekti tjetër për bektashinjtë.Ndoshta kjo është një përpjekje e kryeministrit Edi Rama për të treguar tolerancën fetare, por e vërteta në këtë rast është e ulur këmbëkryq para syve tanë, në këtë tokë ku zvarritjet kanë bërë që kjo xhami nuk ka filluar të ndërtohet ende, ndërsa besimtarët myslimanë vazhdojnë të falen festë pas feste në bulevardin kryesor.