“Gjuha blu”, Xinxo: S’ka rrezikshmëri për njerëzit, Ministria ka marrë masa parandaluese

Tiranë - Sëmundja “gjuha blu”, që ka prekur bagëtitë në zona të ndryshme të vendit tonë, nuk është një sëmundje e transmetueshme dhe e dëmshme për shëndetin e njerëzve.Këtë fakt e ka bërë të ditur drejtori i Isntitutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Ardian Xinxo, gjatë një interviste në RTV “Ora News”, përballë gazetares Denisa Pasholli, ndërsa shtoi se sëmundja nuk mund të shmanget, por numëroi faktorët të cilët ndikojnë në parandalimin e përhapjes së saj.“Nuk është një sëmundje e rrezikshme përsa i përket shëndetit, është një sëmundje që prek vetëm kafshët. Nuk prek njerëzit edhe në raportin me kafshët e sëmura. Nuk prek njerëzit edhe nga pickimi i vektorit, i cili shkakton sëmundjet tek kafshët. Nuk prek njerëzit edhe nëse ata janë në kontakt dhe për një arsye emergjente prekin ushqimet, apo konsumojnë ushqimet nga këto kafshë.Mund të vonohet shpërthimi i saj në rast se ajo përhapet. Nuk mund të shmanget, ka një sërë faktorësh që minimizojnë në kohë shfaqjen e sëmundjes, janë kryesisht faktorë klimatik, sepse është sëmundje vektoriale, e cila transmetohet nga një mushkonjë, që e humbet aktivitetin e saj vetëm me rënien e temperaturave. Ka një sërë faktorësh që ndihmojnë në uljen e përhapjes së saj, në uljen e efekteve të saj, po ato nuk dominojnë në përhapjen e sëmundjes. I vetmi faktor ndikues është klima në këtë drejtim” – tha Xinxo.I pyetur nëse trasmetohet me anë të konsumit të bulmeteve dhe produkteve të mishit, Xinxo u përgjigj: “Absolutisht, jo. Por, ato nuk duhet të konsumohen dhe kjo është shumë e rëndësishme”.Gjatë intervistës Xinxo u ndal në planin e masave emergjente të marra nga Ministria e Bujqësisë, për groposjen e bagëtive, ku tha:“I gjithë aktiviteti i Ministrisë së Bujqësisë është i lidhur me aktivizimin e planit të emergjencave. Në planin e emergjencave, plani i menaxhmit të kufomave është një pikë në vete, i cili trajtohet në skenarë të ndryshëm. Ka qënë në objekt që në momentin e aktivizimit të planit të emergjencave, në fazën e përgatitjes ndaj ti, kur akoma infeksioni nuk kishte ardhur në Shqipëri, por kishim vetëm raste në Greqi.Që atëherë ka një proçedurë të planit të emergjencave, ku rishikohet plani i emergjencave, në proçesin e vlerësimit të kapaciteteve, ku trajtohen të gjitha hallkat. Plani është trajtuar në dy skenarë. Në radhë të pare, parashikohej numri i madh i krerëve, nëse do kishim të bënim me një numër të madh, që Ministria duhej të ishte e parapërgatitur për të menaxhuar një numër të madh kufomash. Elementi tjetër i trajtuar kanë qënë raste të tillë, ku objektivi ka qënë të identifikohen faktorët që shkaktojnë këtë hedhje masive.Ka një vendim që në çdo rast të tillë, ku ka ngordhje, Drejtoritë Rajonale ose Taksforca organizon groposjen e tyre. Pavarsisht se nuk është një problem i drejtëpërdrejtë i Shërbimit Veterinar. Sepse Shërbimi Veterinar ka praktika të standartizuara  për sa i përket groposjes së kafshëve” – theksoi Xinxo.Së fundmi Xinxo bëri një raportim të plotë të rasteve të prekura nga “gjuha blu”, pas kontrollove të ushtruara, ku deklaroi se:“Duke ju referuar raportit të sotëm, të raportuara si raste të dyshimta mbështetur në klinikë, që ne i konsiderojmë raste të mundshme, janë raportuar 7000 raste. Ngordhje janë raportuar 1300 raste. Ndërkohë që vatra janë raportuar 360 copë. Në proçesin e monitorimit, nga ana diagnostike, pra laboratirike, - sepse proçesi kalon nga një rast i mundëshm në një rast të konfirmuar, - rezultatet janë 40% më pak. Pozitiviteti i analizave të dala nga të gjitha rastet e diagnostikuara është vetëm 60%” – u shpreh Xinxo.Sëmundja “gjuha blu, mësohet të jetë një sëmundje që ka goditur rrallëherë në histori, ku ka kryesisht në rajonin e Mesdheut.Ekspertë të veterinarisë e kanë klasifikuar këtë sëmundje infektive, si fenomen viral që prek kryesisht kafshët ripërtypëse si delet, dhitë, etj. Është quajtur në mënyrë specifike  “gjuha blu” pasi një nga simptomat që vërehen tek kafshët e prekura nga kjo sëmundje infective, është dhe ngjyrimi me nuanca blu që merr gjuha e tyre.“Gjuha blu” klasifikohet si virus i llojit Orbivirus dhe deri më tani janë regjistruar rreth 26 tipologji llojesh të këtij virusi. Përhapja e tij kryhet ekzkluzivisht me anë të insekteve pickuese si mushkonjat. Pas transportimit me anë të insekteve të këtij virusi tek kafsha e shëndetshme, periudha e inkubimit përpara se virusi të shfaq sintomat e para, zgjat deri më 7 ditë.