Në pritje të Papës, “Reuters”reportazh për vizitën e Atit të Shenjtë në Shqipëri
E vetmja gjë për të cilën flitet në kryeqytetin shqiptar është vizita e Papa Françeskut. Përgatitjet janë në orët e fundit, me zbukurimin e rrugëve, ku flamuri shqiptar me shqiponjën dykrenare qëndron në krah të atij të Vatikanit.Kështu e përshkruan Agjencia e lajmeve Reuters vizitën e Atit të Shenjtë në Tiranë të dielën.Në një reportazh të detajuar, tregohen pamjet e suvenirëve, ku gota, bluza dhe sende të tjera me portretin e Papës shiten në dyqane, kurse Posta Shqiptare ka emëruar një pullë të veçantë në nder të vizitës së Papës.Gjyshi i Dom Gjergj Metës, përgjegjësi për strukturën informative të Papës, arriti të ruante kupën dhe pjatën e Trupit të Krishtit nga kisha e fshatit të tij, e cila u rrafshua si qindra të tjera në Shqipëri nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës një gjysmë shekulli më parë.Diktatori stalinist Enver Hoxha ndaloi fenë myslimane dhe atë katolike në vitin 1967. Meta ishte në mesin e brezit të parë të priftërinjve të arsimuar në Itali dhe u kthye në vendlindje pas rënies së komunizmit në vitin 1990.38-vjeçari, famullitar nga kisha e Shën Lucisë në qytetin bregdetar të Durrësit mbajti meshën e tij të parë në prill të 2001 me të njëjtën kupë dhe pjatë të ruajtur nga gjyshi i tij, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta vetëm dy muaj më parë."Ne jemi në pritje të Papa Françeskut. Unë shpresoj se ai do të jetë këtu personi i duhur për të na dhënë shpresa dhe kurajo për të ardhmen”.Ringjallja e besimit dhe bashkëjetesës paqësore me Islamin në dy dekada, është ajo që Papa Françesku do të festojë të dielën në kryeqytetin shqiptar të Tiranës.Vizita e Papës vjen në sfondin e trazirave në Lindjen e Mesme dhe shfaqjen e shenjave të para të rritjes së intoleracës fetare në Europë.Duhet të jenë këto arsyet pse Papa Françesku ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë, një vend i varfër në Ballkan me tre milionë banorë dhe jo Francën, Gjermaninë apo Britaninë.Por kjo është në përputhje më mënyrën e re të papatit, sjellë kjo nga Ati argjentinas, duke thyer traditën historike tradicionale të paraardhësve të tij.Katolikët përbëjnë rreth 10 për qind të shqiptarëve. Rreth 60 për qind e popullsisë është myslimane, ndërsa pjesa tjetër është kryesisht e krishterë ortodokse. Popullsia njihet më shumë si laike dhe ajo që i bashkon më së shumti janë gjuha dhe zakonet e rrënjosura thellë në shoqërinë tradicionale patriarkale.Në njoftimin e Papa Françeskos thuhet se 1.820 kisha ortodokse dhe katolike u shkatërruan nën sundimin diktatorial të Enver Hoxhës, një sundim paranojak i cili zgjati më shumë se katër dekada.Deri në vdekjen e tij në vitin 1985, shumë prej kishave u kthyen ne kinema, salla vallëzimi ose magazina. Mbi 100 priftërinj katolikë apo peshkopë janë ekzekutuar ose kanë vdekur nën tortura në burgje apo në kampet e punës.Zëdhënësi kryesor i Vatikanit, At Federiko Lombardi thotë se vetëm 30 priftërinj i mbijetuan sistemit.Dikatatori Hoxha ndërtoi një muze ateizmi, duke përfshirë në ekspozitë edhe portretin e Papa Gjonit të XXIII,i cili udhëhoqi kishën katolike në vitet 1958-1963, duke vallëzuar me udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, edhe pse ata të dy kurrë nuk janë takuar.Françesku vijon në gjurmët e Papa Gjon Palit II, papati i të cilit u shtri në fundin e Luftës së Ftohtë dhe vizita e të cilit në Shqipëri në vitin 1993 shenjtëroi ringjalljen e besimit fetar, pas dekadash represion.Gjon Pali II shenjtëroi katër kryepeshkopët e Shkodrës, ku revolta e Shqipërisë kundër komunizmit filloi në vitin 1990 me një Meshë të paligjshme.Myslimanë dhe katolikë pritet të dalin në sheshin e madh të Tiranës, ku Ati i Shenjtë do të mbajë një meshë në sheshin që mban emrin e “Nënë Terezës”, një shqiptare e lindur në Maqedoninë e sotme, e cila ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane.Shumë shqiptarë e shohin vizitën e Papës si një afrim të Shqipërisë me familjen europiane pas marrjes së statusit kandidat dhe anëtarësimit në NATO në vitin 2009.Shumica e shqiptarëve kanë qenë të krishterë para pushtimit otoman. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet Heroi i tyre Kombëtar për luftën e tij 25-vjeçare për të mbajtur otomanët larg territorit te tyre.Vatikani përshëndeti Skënderbeun si kampion të Krishtërimit, ku konvertimi masiv në Islam pasoi vdekjen e tij. Skënder Brucaj, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë tha se vizita e Papës ishte me "rëndësi të veçantë".Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri është e katërta në nivel ndërkombëtar dhe e para në një vend europian jashtë Italisë.Papa Françesku ka deklaruar se dëshiron të vizitojë Shqipërinë për të nxjerrë në pah rilindjen e krishtërimit që u spastrua brutalisht gjatë sundimit komunist dhe të demostrojë se si katolikët, të krishterët, ortodoksë dhe myslimanët po punojnë sëbashku tani për të qeverisur vendin.