Ish-kryeministri apel skocezëve, Braun: Nuk na leverdis të largohemi!

Pas fjalimit mallëngjyes të David Cameron për të mbushur mendjet e skocezëve, një ditë më pas ka menduar edhe pararendësi i tij, Gordon Braun, që të përpiqet të bindë bashkëkombasit e tij që t'i thonë "jo" shkëputjes nga Mbretëria e Bashkuar.Braun, i cili është dhe vetë skocez, ka folur plot pasion për të mirat dhe përfitimet e bashkimit."Katër kombet që formojnë Mbretërinë e Bashkuar kanë arritur të formojnë një sistem krejtësisht unik në botë. Australianët dhe neozelandezët nuk mund ta bëjnë dot këtë, as gjermanët dhe francezët. As amerikanët, shtetet e ndryshme që përbëjnë Amerikën nuk mund ta bëjnë këtë. Ky do të jetë parimi me të cilin do të qeverisin kombet në të ardhmen. Jetojmë në një botë të integruar ku kombet varen nga njëri-tjetri. Në të ardhmen do të kërkojmë gjithnjë e më shumë mënyra se si të jetojmë bashkë dhe të punojmë për qëllime të përbashkëta", u tha Brauni të pranishmëve në fjalimin e tij në qytetin skocez, Klajdbank.Brauni vuri në dukje edhe përfitimet ekonomike që ka Skocia, të cilat mund t'i humbasë nëse vendos të shkëputet Mbretërisë së Bashkuar."Nëse shkëputemi do të humbasim përfitimet që kemi nga monedha e përbashkë britanike, si dhe mundësinë për të marrë vendime të nivelit të lartë. Dhe le të flasim hapur, do të humbasim edhe 1 milionë vendet e punës që janë të lidhura me anëtarësinë në Mbretërinë e Bashkuar. Ka mjaft firma britanike që kanë punësuar skocezë dhe po ashtu ka mjaft firma skoceze që eksportojnë prodhimet e tyre në Angli. Numri total i punonjësve që janë të lidhur me këtë proces është 1 milionë, çka përbën një përqindje të lartë forcës sonë punëtore".