'Lirimi' i Fullanit, Rama-të revoltuarëve: Keni dalë mendsh, s'jam gjykatës

Tiranë – Kryeministri Edi Rama është sulmuar ashpër në rrjetet sociale lidhur me ‘arrestin në shtëpi” që iu dha dje ish-Guvernatorit të Bankës, Ardian Fullani.Por, Rama u ka bërë të ditur të gjithë të revoltuarëve se “unë s’jam as prokuror e as gjykatës” dhe kush e pretendon këtë, është "ose i paditur, ose i dalë mend" si dhe u ka kujtuar që nëse detyrat e qeverisë për reformën në drejtësi ngatërrohen me detyrat e gjyqësorit, atëhërë kësaj i thonë që në vend se të vesh vetulla, po nxjerr sy.“As jam zotuar apo kam menduar ndonjëherë se mund të bëhem kryeprokuror apo kryegjykatës duke u bërë kryeministër, - shprehet Rama në Fb.- Koha kur Këshilli i Ministrave apo Kuvendi i Shqipërisë ishin trupa prokurorie e gjykatash popullore, ka vdekur, lavdi Zotit, bashkë me diktaturën e proletariatit.Kush ka provuar ta ringjallë ka bërë veç padrejtësira të mëdha e pastaj ka thyer qafën. E kush kujton se ilaçi për të shëruar drejtësinë e rrënuar nga kanceri i korrupsionit, është që kryeministri të bëhet kryeprokuror dhe qeveria të bëhet gjykatë speciale, ose është shumë i paditur ose është krejt i dalë mendsh.Kaq në parim, sepse lidhur me rastin konkret të ditës së djeshme, do të duhej një shtjellim i gjatë për të gjithë ata që s’kuptojnë se si, mund të nxirren sytë duke vënë vetullat kur qeveria e shumica parlamentare ngatërrojnë reformën në drejtësi, detyrë e pushtetit të tyre kushtetues, me hetime e gjykime veprash penale, detyrë e pushtetit të pavarur gjyqësor.”ar.sh/Oranews.tv