Basha, diplomatit Jenkins:Të veprojmë sëbashku për të frenuar oligarkinë
Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar bashkëpunim nga partnerët ndërkombëtarë për të mos lejuar që në Shqipëri të vendoset regjimi i oligarkisë në vend të demokracisë.Një prej tyre është diplomati anglez Owen Jenkins, me të cilin Basha është takuar sot dhe ka renditur konkretisht, njerën pas tjetrën, arsyet për të cilat PD-ja është e detyruar të braktisë Kuvendin.Jenkins është Drejtor për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe.“I bëra me dije zyrtarit të lartë britanik, - shkruan Basha në Fb, duke postuar edhe foton e bërë me këtë rast - se refuzimi i kontrollit demokratik përmes komisioneve parlamentare hetimore, moszbatimi dhe shkelja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të vendit, mohimi i fjalës së lirë të opozitës, përmes ushtrimit të dhunës verbale dhe fizike nga elemente kriminalë të mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, të orkestruar dhe drejtuar nga Kryeministri Rama, kanë reduktuar në zero çdo hapësirë demokratike për opozitën, duke e detyruar atë të ndërpresë marrëdhënien me Kuvendin.Po kështu, shpreha shqetësimin e thellë që ka shkaktuar goditja e konsensusit dhe antireforma në shërbimin civil, si pasojë e të cilit mbi 9 mijë nëpunës civilë janë hedhur në rrugë dhe janë zëvendësuar me militantë partiakë dhe elementë kriminalë. Rikonfirmova vendosmërinë e opozitës dhe bashkëpunimin e saj me partnerët ndërkombëtarë, për t'i vënë fre revanshit për zëvendësimin e demokracisë në Shqipëri me një regjim oligarkik.”armanda shtembari/Oranews.tv