Martin Stekelenburg shprehet i pakënaqur në Roma

Stekelenburg, portieri i Romës, duket nuk e përtyp faktin që është kthyer në një zëvendësues në radhët e skuadrës italiane, ndonëse ai është portieri titullar i Holandës. Në një intervistë të dhënë për mediat në vendlindjen e tij, ai nuk ka kursyer kritikat kundër klubit italian edhe për faktin që ka bërë "blerje të kotë" duke afruar Goikoeçean, atë që i ka zënë vendin në formacion portierit holandez."Zeman? Nuk e kam kuptuar kurrë se përse nuk jam më titullar në skuadër. Nuk di se në cilin aspekt duhet të punoj për t'u përmirësuar, në të kundërt, mendoj se është trajneri që duhet të më tregojë diçka rreth kësaj çështje. Për më tepër, e mendoj si të kotë blerjen e Goikoeçea gjatë verës. Me mua dhe Lobont në skuadër, për çfarë na nevojitej një portier i tretë?", ishte kritika e ashpër e lojtarit.Me sa duket, Stekelenburg mendon se Zeman është shkaktari kryesor i kësaj situate të krijuar. "Nuk e kuptoj përse kam humbur besimin e tij dhe nuk kam shkuar asnjëherë të flas me të rreth kësaj çështje. Disa situata nuk mund t'i ndryshosh, sado që të përpiqesh"."Para se të luaja kundër Interit, ndeshja e fundit në të cilën kam zbritur në fushën e lojës është me 11 dhjetor, në Kupë kundër Atalantës. 6 javë jashtë fushës janë shumë, por nëse merret në konsideratë ideja se që nga 31 tetori jam aktivizuar vetëm në dy ndeshje, atëherë mund të them se jam paraqitur mjaft mirë", ishte komenti ironik i portierit holandez, i cili duket se në mënyrë indirekte kërkon që transferohet."Shumë kohë më parë u bëra portier për të bërë pritje e jo për të qëndruar në pankinë. Duhet të filloj të mendoj edhe për të ardhmen", tha portieri i Holandës