Kosovë, PDK dhe AKR-ja vijojnë qeverisjen

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kreu i AKR-së Behgjet Pacolli kanë rënë dakort për të vazhduar partneritetin në qeverisje.Sipas mediave kosovare, dy krerët e PDK-së dhe AKR-së janë takuar mbrëmë  në  një “darkë pune” për të diskutuar situatën e krijuar pas kalimit të ministrit të FSK-së, Agim Çekut nga PSD-ja në PDK. PSD-ja ishte pjesë e Koalicionit për Kosovën e Re, ku bënë pjesë edhe AKR-ja e Pacollit.Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i pranishëm në takim, ka thënë nëpërmjet telefonit se palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin.“Jemi takuar në një darkë pune, shumë të relaksuar, ku kemi diskutuar raportet në koalicionin. Jemi pajtuar të vazhdojmë angazhimet në përballimin e sfidave dhe agjendës së përbashkët, në veçanti atë ekonomike”, ka thënë Kuçi.Në takim përveç Kuçit e Thaçit, nga radhët e PDK-së ishte edhe Kadri Veseli ndërsa Behgjet Pacolli shoqërohej nga Mimoza Kusari-Lila dhe Ibrahim Makolli.