Përplasja/ Kiev: U arrit marrëveshja e armëpushimit, Moska e mohon

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko ka deklaruar se ka arritur një marrëveshje me presidentin rus Putin, për një armëpushim të ri në lindje.Fillimisht presidenca në Ukrainë deklaroi se armëpushimi ishte i përhershëm, por më vonë e ndryshoi deklaratën e saj.Mjeherë pas deklaratës së Poroshenkos, ka ardhur edhe reagimi i Kremlinit, ku thuhet se presidenti Putin nuk ka rënë dakord për asnjë armëpushim, pasi Rusia nuk është palë në konflikt.Ishte zëdhënësi i zotit Putin, Dmitri Peskov, i cili sqaroi për agjencinë e lajmeve ruse Ria-Novosti se Putin dhe Poroshenko kanë biseduar për krizën, por nuk kanë arritur marrëveshje armëpushimi pasi Rusia nuk është në konflikt me Ukrainën.Në deklaratët e parë të Ukrainës thuhet se pas një bisede mes dy Presidentëve është arritur marrëveshja për armëpushim të përhershëm ne Donbass në rajonet e Donetsk dhe Luhansk.Ndërsa në versionin e dytë është hequr fjala e përhershme , duke lënë të papërcaktuar afatin kohor të paqes.Separatistët pro-rusë janë duke luftuar ndaj forcave të Kievit në rajonin kryesisht rusisht-folës të Donbassit, në të cilin është ngritur thuajse pjesa më e madhe e industrisë së rëndë të Ukrainës, e që përbën rreth 18% të Produktit të Përgjithshëm Bruto të vendit.Më shumë se 2,600 civilë dhe luftëtarë janë vrarë dhe më shumë se një milion persona kanë ikur nga shtëpitë e tyre që kur luftimet shpërthyen në lindje të Ukrainës në muajin prill, kohë në të cilën separatistët pro-rus shpallën pavarësinë.