Skema e pensioneve, ja si ndryshon vit pas viti mosha për burrat dhe gratë
Nga OraNews Përditësimi i fundit 3 Shtator 2014, 10:20
Janë botuar në Fletoren Zyrtare ndryshimet e ligjit “Për Sigurimet Shoqërore”, që parashikojnë skemën e re të llogaritjes së moshës së daljes në pension. Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 1 Janar 2015.Të parat që do të preken nga skema e rritjes së pensioneve janë gratë, mosha e të cilave do të rritet me dy muaj çdo vit dhe në vitin 2032 gratë do të dalin në pension në moshën 63 vjeçë. Ndërsa për burrat do të shkojë në 67 vjeç në vitin 2056.Ndryshimet në ligjin për Sigurimet Shoqërore parashikojnë edhe raportet për gratë pas periudhës së barrëlindjes, e cila nga 42 ditë do të bëhet në 63 ditë.Sipas ligjit të gjitha gratë të cilat do të përfitojnë pagesë të lejes së lindjes nga 1 janari i vitit 2015, ajo do të jetë më e ulët se pagesat e dhëna deri më tani, pasi përllogaritja e saj do të bëhet në bazë të pagës neto dhe jo asaj bruto.Një tjetër risi e ligjit është edhe leja e lindjes për baballarët. Sipas këtij ndryshimi të bërë në ligj, në rastet kur një grua nuk ka mundësi të rrijë në shtëpi për një periudhë 1 vjeçare për tu kujdesur për fëmijën e porsalindur, këtë të drejtë tashme e ka edhe burri. Sipas, ligjit burri mund të marrë "lejen e lindjes" vetëm kur fëmija është bërë 63 ditësh, kohë që përkon me afatin e përfundimit të raportit të detyrueshëm mjekësor për nënën.