Drejtësia sfidë për Kuvendin, opozita ti bashkohet

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta Kuvendi çeli sesionin e 3-të të legjislaturës së VIII parlamentare.Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit u shpreh se avancimi i reformave në të pesë prioritetet kyçe në raport me Bashkimin Europian mbetet një sfidë mjaft e rëndësishme, dhe veçoi sidomos në këtë sesion të vjeshtës, vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë.Kryetari i Kuvendit tha se kjo reformë duhet të jetë e thellë, e plotë, gjithëpërfshirëse me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm të politikës dhe me ekspertizën më të mirë vendase dhe të partnerëve ndërkombëtarë.Meta theksoi se opozita do të jetë gjithmonë e mirëpritur për të kontribuar për realizimin e kësaj reforme me të gjitha kapacitetet e saj politike dhe profesionale. Fjala e plote e Kryetarit të Kuvendit,Ilir Meta:Sesioni i kaluar shënoi një volum mjaft të madh pune. Në periudhën janar-korrik 2014 u miratuan 186 akte, nga të cilat 115 ligje, 55 vendime, 16 rezoluta, të cilat janë produkt i veprimtarisë së komisioneve të përhershme parlamentare dhe të seancave plenare. Natyrisht do të nënvizoja ndër to në mënyrë të veçantë reformën për ndarjen administrative-territoriale, e cila krijon mundësi dhe garanton në të ardhmen një pushtet lokal modern, efiçent, pranë qytetarëve dhe në shërbim të tyre, duke ofruar shanse më të mëdha për autonomi reale.Kuvendi i Shqipërisë me kontributin e deputetëve ka qenë një aktor kryesor në realizimin e reformave në sektorët më të rëndësishëm të vendit, në ekonomi dhe financë, në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, në sistemin arsimor, shëndetësor dhe të pensioneve, në Forcat e Armatosura e në shumë aspekte të tjera. Në disa raste madje, për shkak të rëndësisë së posaçme të disa ligjeve, ato janë votuar duke marrë konsensus të gjerë mes shumicës dhe opozitës. Ky ka qenë një përjashtim që do të donim të bëhej më shumë rregull në të ardhmen.Sesioni i ri ofron sfida të vjetra dhe të reja. Axhenda parashihet të jetë mjaft e ngjeshur. Përgjegjësitë e Kuvendit si në funksionin e tij ligjvënës, ashtu edhe në kontrollin parlamentar janë edhe më të mëdha për shkak të statusit të ri që ka fituar Shqipëria në familjen europiane. Ato janë më të mëdha për shkak të nevojës në rritje për përmirësimin e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit, në rritjen e transparencës dhe gjithëpërfshirjes, në bashkëpunimin me institucionet e pavarura dhe kushtetuese dhe me gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë civile.Jemi të gjithë përballë domosdoshmërisë për të shtuar përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, tolerancën dhe bashkëpunimin, hartimin e ligjeve si detyrë dhe respektimin e tyre si normë.Avancimi i reformave në të pesë prioritetet kyçe në raport me Bashkimin Europian mbetet një sfidë mjaft e rëndësishme, ku, natyrisht, unë do të veçoja sidomos në këtë sesion të vjeshtës vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë, e cila duhet të jetë e thellë, e plotë, gjithëpërfshirëse me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm të politikës dhe me ekspertizën më të mirë vendase dhe të partnerëve ndërkombëtarë.Opozita do të jetë gjithmonë e mirëpritur për të kontribuar për realizimin e kësaj reforme me të gjitha kapacitetet e saj politike dhe profesionale. Kjo do të ishte një mundësi më shumë edhe për evitimin e klimës konfliktuale dhe për inkurajimin e frymës së bashkëpunimit në bazë të respektit reciprok dhe të dobisë së ndërsjellë.Lufta e përditshme politike dhe politika për hir dhe në shërbim të luftës së përditshme që bëjmë, janë diçka që duhet t'i përkasin sa më shumë të shkuarës. Më shumë konstruktivitet dhe pozitivitet afrojnë pa dyshim më shumë zgjidhje dhe zgjedhje për qytetarët tanë. Një mundësi e mirë do të ishte edhe miratimi në një të ardhme të shpejtë i Kodit të Etikës së këtij Kuvendi, hartuar në bashkëpunim me OSBE-në, çka do të ndihmonte në krijimin e një klime më të paqtë këtu në Kuvend, më të qetë, më të urtë, më të përgjegjshme përballë pritmërive në rritje të qytetarëve tanë.Duke përfunduar këtë fjalë hapjeje me rastin e fillimit të sesionit të ri, më lejoni t'ju uroj edhe një herë punë të mbarë dhe suksese të gjithëve së bashku!