Kore e Veriut, 3 të burgosur amerikanë kërkojnë ndihmë nga SHBA

Tre shtetas amerikanë, të ndaluar nga autoritetet në Korenë e Veriut, janë lejuar të japin intervista të shkurtra për rrjetin televiziv CNN.Ekipi i rrjetit CNN po zhvillonte një turne me leje qeveritare sot, kur papritur u futën të shoqëruar nga autoritetet në një furgon dhe i dërguan në një vend të panjohur për intervistën e paplanifikuar.CNN-i thotë se Kenneth Bae, Matthew Miller dhe Jeffrey Fowle kishin nga pesë minuta për të folur me gazetarin Will Ripley.I ndaluari Bae, i cili po vuan dënimin me 15 vjet burgim, tha se punon tetë orë në ditë, gjashtë ditë të javës në një kamp pune dhe po trajtohet në mënyrë humane.Gjatë intervistës, i ndaluari Miller u lut për ndihmë nga qeveria amerikane. Ai tha se nuk është nxjerrë ende para gjykatës dhe nuk e di se çfarë akuzash do të ngrihen kundër tij deri në ditën kur të dalë në gjyq.Fowle, një turist amerikan, i ndaluar për thyerjen e një ligji të paspecifikuar, tha se nuk ka ankesa për mënyrën si e trajtojnë.