Shkodër, rruga e Shirokës pezull, prefekti: Punimet jocilësore
Shkodër - Ishte paralajmëruar edhe më herët që me ardhjen e stinës së vjeshtës një nga investimet më të rëndësishme në qarkun e Shkodres, do të vuante i pari pasojat, duke rrezikuar kështu edhe mospërmbylljen në afate.Fundi i këtij viti duhet ta gjejë të përfunduar rrugën e Shirokës, por realisht shumë faza punimesh nuk janë përmbyllur. Me ashpërsi prefekti Paulin Radovani, e cilëson një ndër investimet më të dobëta.Me një gjatësi prej 4 kilometrash dhe me gjërësi prej 10.5 metrash, rruga e Shirokës parashikon shtrimin me asfalt, përfundimin e trotuareve që do të shërbejne si pedonale, vendosjen e ndriçimit dhe sinjalistikës.I gjithë ky investim kap vlerën e 1 milion eurove. Por ndërsa ditët kalojnë dhe gjatë të gjithë sezonit veror punimet në këtë rrugë paralizuan zhvillimin e turizmit, duket se edhe këtë dimër do të paralizohet jetesa e rreth 3 mijë banorëve të 2 lagjeve, Shirokës dhe Zogajve.Kjo telenovelë e punimeve, tashmë për banorët e Shkodrës, nuk është një risi, por rituali që përsëritet sa herë nis një investim, që për fat të keq vetëm data përfundimi nuk ka.