Veliaj ndez "ethet elektorale" me të rinjtë në Jalë: Do fitojmë 50 nga 61 bashki

Sekretari për Rininë në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, zhvilloi dje një takim me të rinjtë e Forumit Eurosocialist të Shqipërisë në Jalë, me të cilët diskutoi disa nga çështjet e qeverisjes së sotme, duke prekur veçanërisht zgjedhjet e ardhshme vendore dhe reformat e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.Veliaj tha se zgjedhjet e qershorit 2013 ishin të parat që prodhuan një qeverisje me ideologji dhe premtime tipike të majta, të cilat aktualisht janë duke u përkthyer në reforma. Ai kërkoi të njëjtin angazhim edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore nga të rinjtë e FRESSH-it."Në zgjedhjet vendore të vitit tjetër do të kemi një sistem të ri administrativ, ku Shqipëria do të ketë 61 bashki. Nëse të rinjtë e majtë dhe të gjithë koalicionit do të mobilizohemi, nuk kam asnjë dyshim që ne mund të fitojmë mbi 50 nga 61 bashkitë e Shqipërisë. Sepse, kemi treguar se aty ku qeveris e majta ka më shumë normalitet, shoqëria është më solidare, më e bashkuar, ka më pak frymë përçarëse dhe ekonomia përmirësohet" - tha Veliaj.Sipas tij, në të dyja momentet kur e majta ka ardhur në pushtet, në vitin 1997 dhe 2013, i është dashur të pastrojë atë që ka lënë pas e djathta dhe të rimëkëmbë ekonominë e vendit."Ju e shikoni se e djathta e lë ekonominë të shkatërruar dhe i duhet të majtës që të bëjë pastrimin e shtëpisë dhe të rimëkëmbi ekonominë. Nuk kam asnjë dyshim që me të njëjtën energji që fituam në mënyrë spektakolare në zgjedhjet e fundit, të kemi mundësi të fitojmë sërish vitin tjetër, për të treguar se edhe në nivel lokal kemi forcë për të bërë të njëjtin transformim që kemi bërë në nivel kombëtar" - u shpreh Veliaj.Ai shtoi se ideologjia e majtë është ajo që po sjell ndryshimin në Shqipëri, duke filluar që me sistemin progresiv të taksave, sipas të cilit ata që marrin më shumë duhet të kontribuojnë më shumë, apo skemën e pensioneve, e cila sjell një frymë solidare për të gjithë pensionistët. Veliaj tha se e njëjta frymë e majtë ka nisur të ndjehet edhe në shëndetësi, në arsimin profesional dhe rimëkëmbjen e shërbimit kombëtar të punësimit.Gjatë qëndrimit në kamp bisedoi me të rinjtë edhe zëvendës Ministri i Arsimit, Arbjan Mazniku. Ai preku shumë nga çështjet më shqetësuese për  nxënësit, studentët në prag të vitit të ri akademik. Mazniku foli jo vetëm për aspektin e mbylljes së disa universiteteve private por mbi të gjitha se si modernizimi i universiteteve dhe kthimi i seriozitetit të diplomës universitare do t’iu japi mundësi të rinjve që të jenë më afër tregut të punës.Forumi rinor gjithmonë e më shumë po shkon drejtë një qasje internacionale. Ndryshe nga vitet e kaluara prezent në këtë kamp kishte edhe të rinj të ardhur nga Kanadaja, Tunizia, Algjeria etj. Morën pjesë në kamp gjithashtu përfaqësues nga organizata me e madhe studentore ne botë "AIESEC", e cila numëron antarë nga 124 vende të botës.Wael Hannachi, Callie Lytle, Hodhaifa Dono, Sokol e Joana Tushe, prezantuan përpara të rinjve shqiptarë mundesitë që kjo organizatë ofron, për të zhvilluar aftësitë profesionale nëpërmjet një rrjeti të gjerë praktikash, stazhesh e internshipesh në vende të ndryshme të  botës, tashmë edhe në Shqipëri.