Doda ironizon ministrin Tahiri: Kur madhëria të zë derën...

Tiranë –  Dhënia, Ministrisë së Brendshme dhe veçanërisht, ministrit Saimir Tahirit, e më shumë kompetencave, siç është përfshirja ditët e fundit edhe e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në strukturë, është parë me sy kritik nga deputetja demokrate Mesila Doda. Rastin në fjalë ajo e ka ironizuar shkurt me shprehjen “Kur madhëria të ze derën…”Sipas Dodës, disa ministra dhe disa deputetë të majtë, nuk kanë më mundësi të përballojnë kompetencat dhe pushtetin që iu është dhënë, ndërsa disa të tjerë nuk kanë më arsye për të ekzistuar.Në një shënim të sajin në Fb, Doda, shprehet: “Është e vështirë që të gjendet në historinë e shtetit shqiptar, një Ministër i Brendshëm me më shumë kompetenca se sa ministri aktual. Është edhe Ministër i Brendshëm, edhe drejtor i madh i Policisë së Shtetit, Policisë Rrugore, Policisë Ndërtimore, me gjasa edhe i Policisë mjedisore, Shef Sigurie Personalitetesh, drejton aksionet si Shef Forcash Speciale...Ç’të them?! Me gjasa, më shumë fuqi se kaq veç Mehmet Shehu ka patur në shtetin shqiptar.”Duke kaluar nga institucionet tek deputetët e majtë, Doda ndan të njejtin mendim: “E njejta zgjedhje selektive edhe tek deputetët, kur Gramoz Ruçi dhe të vetët duhet të shikojnë në sy Koçon që të kenë mundësi të emërojnë ndokënd në “Albpetrol” apo gjetkë. A thua do jetë sepse Kryeministri i beson më shumë se të tjerëve apo i do më shumë se të tjerët?! Gjithsesi rezultati është i njëjtë. Disa ministri nuk kanë arsye për të ekzistuar ende, disa te tjera nuk kanë më mundësi të përballojnë superkompetencat. Disa deputetë kanë pushtet dhe trafik influencash deri në keqperdorim kriminal e disa të tjerë janë jashtë çdo segmenti pushteti.”Mendimet e saj për pozitat në rritje të Ministrit të Brendshëm Tahiri, deputetja demokrate ka gjetur me vend t’i ilustrojë shkurt me një thënie të Shekspirit: “Me këtë rast, - shkruan ajo, - më kujtohet thënia e Shekspirit: “Disa lindin të mëdhenj, disa të tjerë e kërkojnë madhërinë, disa të tjerëve madhëria u ze derën...”ar.sh/Oranews.tv